Familja Ahmeti nga Kosova që jeton në Kaisten AG të Zvicrës është përzënë nga banesa, për të cilën u ankua publikisht se ka shumë myk. Pronarja e banesës ka njoftuar familjen se në muajin prill, atëherë kur përfundon kontrata e qirasë, ata duhet të largohen nga banesa, raporton “Blick”.
Autoritetet zvicerane kanë fajësuar familjen shqiptare për mykun, duke thënë se nuk e kanë ajrosur siç duhet. Këtë pretendim e mohon Liridon Ahmeti (41 vjeç) dhe gruaja e tij, Meleqe (40 vjeç). Pretendimi mohohet edhe nga një ekspert i ndërtimit, që vizitoi banesën.
“Tani supozojnë se ne nuk e kemi ajrosur siç duhet. Gjë që nuk është e vërtetë. Problemi është se këtu ka shumë rrjedhje”, ka thënë Liridon Ahmeti.
Eksperti i ndërtimit, Alexander Foege, vizitoi banesën dhe përkrahu familjen në betejën kundër administratës.
“Ne duhet të ndihmojmë. Sidomos kur në këtë problem myku përfshihen edhe fëmijët”, ka thënë Foege, i cili inspektimin e ka bërë falas.
Ata që e kanë vuajtur më së shumti problemin me mykun janë fëmijët e çiftit shqiptar, dy djemtë 11 dhe 15 vjeç dhe vajza e tyre 16-muajshe, e cila madje “u sëmurë”.
“Ne vetëm duam që dëmi i shkaktuar nga myku të paguhet. Administrata dërgoi një ekspert, por kurrë nuk e morëm rezultatin”, ka thënë tutje Liridon Ahmeti.
Për shkak se Ahmeti nuk mund ta përballonte financiarisht një analizë nga eksperti i ndërtimit, Foege bëri inspektimin falas dhe konstatoi se lagështia në banesë është shumë e lartë.
“Temperatura e dhomës prej 19.6 gradë është në rregull. Por lagështia prej mbi 63 për qind është qartësisht shumë e lartë. Në banjën e vogël, për shembull, nuk ka dritare. Problemi kryesor është rrjedhja e të gjithë konstruksionit të dritares. Disa nga dritaret dhe dyert po rrjedhin. Mund ta ndjeni kur mbani dorën mbi të”, shprehet i sigurt Foege.
Përveç kësaj, siç ka thënë Foege, druri godet drurin kur hapet dhe mbyllet dritarja, për shkak të një pjese që nuk funksionon më.
“Atëherë ajri i ngrohtë i brendshëm takohet me ajrin e ftohtë të jashtëm. Mund të ndodhë kondensim. Kjo nga ana tjetër nxit mykun. Dhe nuk mund ta largosh përgjithmonë me punë pastrimi sipërfaqësor. Problemi kryesor është rrjedhja e të gjithë konstruksionit të dritares”, ka thënë eksperti i ndërtimit, duke konstatuar se faji është i ndërtimit dhe jo i familjes që ka jetuar në banesë nga qershori i vitit 2012.
Pas konstatimeve nga eksperti i ndërtimit, familja Ahmeti u lehtësua. Ata po insistojnë që administrata zvicerane të paguajë dëmin e shkaktuar nga myku. Po kërkojnë rreth 10 mijë franga.
“Ne do të ikim nga këtu në çdo mënyrë. Por fatkeqësisht nuk është e lehtë të gjesh një apartament të madh në këtë rajon”, thonë ata.