Telenews

Protestojnë për paga punonjësit e televizionit publik, paralajmërojnë grevë të përgjithshme

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë dalë sërish në protestë për shkak të mosmarrjes së pagave, duke kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin veprime urgjente për zgjidhjen e situatës.

Në duar ata mbanin pankarta me mbishkrime të fuqishme si: “Punëtorët e RTK-së, jo viktima të krizës”, “Gazetar pa pagë = demokraci pa zë”, “Kërkojmë dinjitet, jo mëshirë” dhe “RTK nuk hesht edhe në errësirë”. Punëtorët kërkuan vetëm atë që u takon me ligj – pagat e tyre, të cilat nuk i kanë marrë tash e gjashtë ditë.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, kërkoi reflektim nga institucionet dhe paralajmëroi mundësinë e hyrjes në grevë të përgjithshme nëse gjendja nuk ndryshon.

“Jemi këtu jo për luks, e jo për rritje pagës fatkeqësisht, por për një të drejtë themelore – për pagën tonë që na takon me ligj. Në vend që të protestojmë për përmirësimin e kushteve të punës apo rritje të pagës, ne jemi të detyruar të dalim në rrugë për pagat që i kemi fituar me djersë dhe përkushtim. Nëse brenda një kohe të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme. Dhe nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje, protestat tona mund të përshkallëzohen”, tha Bimbashi.

Nënkryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Naile Dema-Selmani, i bëri thirrje urgjente kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të alokojë menjëherë pagat për punëtorët e RTK-së.

“AGK ka vetëm një kërkesë sot. Kërkon në mënyrë urgjente dhe të padiskutueshme nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thjesht t’i alokojë pagat për punëtorët e RTK-së. Ta bëjë njësoj si herën e kaluar dhe kështu të ndërpritet presioni edhe financiar që po bëhet ndaj punonjësve medial”, tha ajo.

Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së Sindikatës, Fisnik Dërguti, akuzoi se RTK po përdoret për shantazhe dhe për përplasje politike ndërmjet partive.

“Kjo formë e protestës do të vazhdojë, deri te grevat, të cilat po duken të pashmangshme. Siç po shihet, zgjidhja për RTK-në po përdoret për inate politike, shantazh e vetëm e vetëm që partitë të sqarojnë hesapet politike mes vete”, tha Dërguti.

Të ngajshme

Infermieri gjerman dënohet për vrasjen e 10 pacientëve dhe tentim vrasjen e 27 të tjerëve

Valjeta Turkaj

Punëtorët e RTK-së gjashtë ditë pa paga, kërkohet nga Kurti që urgjentisht t’i alokojë buxhetin, Bimbashi: RTK-ja do të mbrohet

Valjeta Turkaj

Ky është i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në Gollubovc të Malishevës

Valjeta Turkaj