Mijëra armë pa leje vazhdojnë të jenë në duart e qytetarëve të Kosovës. Sipas një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi, ndëshkimet e lehta bëjnë që qytetarët të kenë në posedim armë pa leje, ndonëse konsiderohet se shumë nga krimet e viteve të fundit janë kryer pikërisht nga armët e paligjshme. Nga të dhënat e vitit 2018, thuhet se në vendin tonë janë mbi 392 mijë armë pa leje.
Sipas një raporti të vitit 2018, të organizatës ndërkombëtare Small Arms Survey, në Kosovë qarkullojnë mbi 392 mijë armë të paligjshme.
Sipas këtij studimi, në Kosovë çdo vit hyjnë 1200 deri në 1300 armë pa leje, tendencë kjo në rritje. Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se kjo dukuri është një shqetësim serioz i shoqërisë kosovare.
“Disa raporte ndërkombëtar të vitit 2018 kanë theksuar se çështja e armëmbajtjes pa leje është një dukuri shqetësuese në Kosovë për shkak se konsiderohet që janë afërsisht mbi 400 mijë në duart e qytetarëve të Republikës së Kosovës e që afër 400 mijë prej tyre konsiderohen se janë pa leje.
Çështja e mbajtjes së armëve nga qytetarët e Republikës së Kosovës paraqet një rrezik permanent për sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në raste të caktuara mund të konsiderohet se edhe ka qenë arsyeja e vrasjeve të ndryshme”, thotë ai.