Video e publikuar nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve tregon një punëtor të strehimores së Komunës së Prishtinës duke rrahur një qen të trembur e të pambrojtur. Ai shfaqet duke e shkelmuar qenin.
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve e cilëson këtë ‘akt mizor, të paligjshëm dhe absolutisht i papranueshëm’.
“Ky nuk është një rast i izoluar. Është dëshmi e mungesës së mbikëqyrjes, llogaridhënies dhe humanizmit në trajtimin e kafshëve endacake nga autoritetet komunale”, thuhet në reagim.
Organizata njofton se po përgatit një kallëzim penal ndaj individit në video, dhe do të kërkojë edhe përgjegjësi më të gjerë për zyrtarët që sipas saj, kanë lejuar dhe mbrojtur këtë sistem të dhunshëm.
“I bëjmë thirrje publikut të mos heshtë. Qentë meritojnë mbrojtje, jo dhunë”, thuhet në reagim.
Në lidhje me pamjet e publikuara së fundmi në rrjete sociale, ka reaguar Komuna e Prishtinës.
Komuna thekson se pas verifikimeve të menjëhershme, është konstatuar se personi që ka ushtruar dhunë nuk është punonjës i Strehimores, por një punëtor i kompanisë të sigurimit të objektit.
“Duke e konsideruar të papranueshëm dhe të dënueshëm çdo akt dhune ndaj kafshëve, ju informojmë se ndaj punonjësit në fjalë janë marrë masa të menjëhershme disiplinore, konkretisht: largimi i tij përfundimtar nga detyra, nga ana e kompanisë së sigurimit”, thuhet në sqarimin e komunës.
Në sqarim theksohet se, Drejtoria për Shërbime Publike dhe të gjithë partnerët e saj angazhohen maksimalisht në respektimin e standardeve për mirëqenien e kafshëve dhe dënojnë çdo sjellje që cenon dinjitetin dhe trajtimin e tyre të drejtë.