Albulena Haxhiu nuk arriti të zgjidhet as këtë herë kryetare e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura të Lëvizjes Vetëvendosje për ta emëruar atë në këtë pozitë.
Ky ishte tentimi i gjashtë me radhë që dështon, duke thelluar ngërçin institucional pas zgjedhjeve.
Në votimin e fundit, Haxhiu mori 54 vota “për”, 44 kundër dhe tre abstenime – një rezultat që tregon një mungesë të vazhdueshme të konsensusit mes partive politike.
Krahasuar me votimin e mëparshëm, u shënuan tri vota më pak në favor të kandidaturës së saj.
Pas seancës, Albulena Haxhiu bëri një deklaratë të shkurtër për media.
“Shpresojmë shumë në reflektim të opozitës“, tha ajo.