Avokati i Popullit, Naim Qelaj, në tryezën e organizuar nga IAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike, lidhur me ndikimin e Udhëzimit Administrativ për Unifikimin e Taksave Gjyqësore në realizimin e së drejtës për qasje në drejtësi, ka shprehur shqetësimin e tij ndaj rritjes së taksave gjyqësore, që mund të krijojë pengesa financiare për qytetarët, dhe ka kërkuar që ato të përcaktohen në mënyrë proporcionale, raporton Ekonomia Online.
“Në opinion kemi ngritur shqetësime lidhur me rritjen e konsiderueshme të disa taksave gjyqësore, pagesat shtesë dhe ushtrimin e mjeteve juridike, si dhe pasojat procedurale të mospagesës së tyre. Këto elemente, të marra së bashku, mund të krijojnë pengesa financiare joproporcionale për qytetarët që kërkojnë mbrojtje gjyqësore”, tha Qelaj.
Qelaj po ashtu tha se opinioni për taksat gjyqësore është hartuar pas reagimeve publike dhe kërkesave të disa organizatave të shoqërisë civile.
Ai ka theksuar se vendosja e taksave gjyqësore duhet të bëhet në mënyrë të balancuar, në mënyrë që ato të mos paraqesin pengesë për qytetarët në qasjen në drejtësi.
“Ideja ose fakti pse ne kemi dalë me një opinion të tillë del për shkak të reagimit publik, kërkesave që kemi pranuar nga disa organizata të shoqërisë civile, por edhe vetë ndjeshmërisë që ka tema e taksave gjyqësore, si një e drejtë ekskluzive e shtetit për t’i vendosur, por e cila gjithmonë duhet të jetë e balancuar, e barasvlershme dhe e analizuar mirë, për të mos paraqitur pengesë në qasjen në drejtësi”, shtoi Qelaj.
Ai ka potencuar se opinioni nuk trajton vetëm ndikimin e tarifave gjyqësore, por edhe përgjegjësinë e institucioneve për të garantuar që qytetarët të kenë mundësi reale për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“Ky opinion trajton një çështje që shkon përtej ndikimit të tarifave gjyqësore, trajton raportin ndërmjet kompetencës së institucioneve për të rregulluar funksionimin e sistemit gjyqësor dhe detyrimit të shtetit për të garantuar që çdo qytetar të ketë mundësi reale për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tij”, deklaroi Qelaj.
Ndërsa për këtë çështje foli edhe Liridon Salihi, menaxher i projekteve në GLPS, i cili ngriti dilema lidhur me bazën ligjore të taksave gjyqësore dhe theksoi se disa prej tyre janë rritur deri në 600 për qind.
Ai ka sqaruar se udhëzimi administrativ ka sjellë rritje të taksave gjyqësore nga 20 deri në 600 për qind, duke përmendur disa shembuj të tarifave që janë rritur.
“Si dilemë të parë kemi thënë që është baza ligjore. E tha edhe Avokati i Popullit, ndonëse Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës i jep një kompetencë KGJK-së për të bërë unifikimin e taksave gjyqësore, në fakt, a duhet të shihet kjo si e drejtë edhe për vendosjen, edhe për lartësinë e taksave për shërbime të caktuara që jepen nga ana e gjyqësorit?”, tha Salihi.
Salihi ka theksuar se disa taksa janë rritur ndjeshëm, përfshirë ato për paditë që lidhen me ligjshmërinë e akteve juridike dhe kërkesat jomonetare në fushën e pronësisë intelektuale.
“Mos ta harrojmë që me këtë udhëzim administrativ kemi taksa që janë rritur nga 20 deri në 600%. Ta zëmë, te paditë që kanë të bëjnë me ligjshmërinë e akteve juridike ose nënligjore juridike, taksa fillimisht ka qenë 50 euro, tash e kemi 250 euro. Ose, për shembull, edhe te këto kërkesat jomonetare në kontekstin e pronësisë intelektuale, që dikur kanë qenë 50 euro, tash i kemi me 350 euro”, deklaroi ai.
Ndërsa përfaqësuesi i Departamentit për Çështje Ligjore dhe Hulumtim në Institucionin e Avokatit të Popullit, Burim Tahiri, ka prezantuar opinionin lidhur me ndikimin e Udhëzimit Administrativ nr. 03/2025 për unifikimin e taksave gjyqësore në realizimin e të drejtës për qasje në drejtësi.
“Në raste individuale që ne i kemi identifikuar gjatë hetimit të rastit, në praktikën e GJEDNJ-së duhet të përmendim rastin Kreuz kundër Polonisë, rastin Podbielski dhe Kreuz kundër Polonisë po ashtu, rastin Weissman dhe të tjerët kundër Rumanisë dhe Teltronic po ashtu kundër Polonisë. Rezulton që Polonia ka një numër relativisht të madh të rasteve të tilla që kanë trajtuar çështjen e qasjes në drejtësi. Çka është me rëndësi të përmendim në këtë rast është se konstatimi i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk e konteston, ashtu siç nuk është kontestuese edhe në Kosovë, kompetencën e Këshillit Gjyqësor për nxjerrjen e akteve nënligjore për rregullimin e sistemit gjyqësor. Mirëpo, çështjet e tjera që mund t’i afektojnë të drejtat e tjera, qoftë ligjore apo kushtetuese, duhet të jenë gjithmonë në fokusin e institucioneve kompetente për këtë çështje, po ashtu edhe të Këshillit Gjyqësor. Prandaj, si qëndrim i Gjykatës Evropiane, rezulton se vendosja e taksave gjyqësore nuk është në vetvete në kundërshtim me nenin 6. Megjithatë, shuma e taksës dhe aftësia reale e palës për të paguar, si dhe faza procedurale për të cilën kërkohet pagesa, përbëjnë një dyshim të madh nëse mund të jenë pengesë për qytetarët për qasjen në drejtësi”, tha ai.
“Kjo është edhe dilema jonë, sepse ngritja relativisht e lartë e shumës së taksave, siç e përmendi Liridoni, prej 200%, ndoshta edhe më e lartë se 600% në disa raste, atëherë vjen në pikëpyetje nëse garantohet qasja në drejtësi e qytetarëve të cilët e kanë kapacitetin ekonomik mesatar. Nuk janë pjesë, domethënë, e asaj kategorie që lirohet nga udhëzimi administrativ, mirëpo janë një kategori e qytetarëve të cilët e kanë bukur të vështirë të kenë qasje në drejtësi me këtë shumë të taksave që i përcakton momentalisht Udhëzimi Administrativ nr. 03/2025, në të njëjtën frymë sikurse Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut”, potencoi

