Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se shtesat e rrezikshmërisë do t’u ndahen rreth 8 mijë zyrtarëve policorë. Ai ka thënë se shtesat më të larta janë përcaktuar për policët elitarë, në vlerë prej 150 eurosh në muaj. “Shtesat për rrezikshmëri do të fillojnë së aplikuari nga paga e muajit nëntor, kurse për muajt e deritanishëm nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri për Pagat do të ndahen në mënyrë retroaktive”, ka theksuar Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë të enjten.
Qeveria nuk ka ndryshuar qëndrim rreth vendimit për shtesat e rrezikshmërisë të policëve elitarë, as pas takimit të mbajtur të mërkurën me përfaqësues të Njësisë Speciale Intervenuese.
Në mbledhjen e së enjtes të ekzekutivit, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kategorizimi dhe vlera e përcaktuar për këto shtesa janë të arsyeshme.
“Dje kishim një takim me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese, me të cilët diskutuam gjatë rreth kërkesave të tyre dhe arsyeshmërisë sonë mbi kategorizimin dhe vlerën e shtesave të rrezikshmërisë. Në takim, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Sveçla, dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Murati, i njoftuam dhe i siguruam ata se kategorizimi dhe vlera e shtesave janë bërë me kujdes të veçantë dhe të shtuar, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre, por të njëjtën kohë, duke pasur parasysh edhe kufizimet të cilat ekzistojnë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka përsëritur përkushtimin e Qeverisë në funksion të përmirësimit të kushteve për policët.
“Jemi dhe do të vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës, në mënyrë që, krahas lehtësimit në punë, të ndikojmë drejtpërdrejt edhe në uljen e rrezikut gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive”, ka deklaruar ai.
Kurti ka bërë të ditur se shtesat e rrezikshmërisë do t’u ndahen rreth 8 mijë zyrtarëve policorë. Ai ka thënë se shtesat më të larta janë përcaktuar për policët elitarë, në vlerë prej 150 eurosh në muaj.
“Shtesat për rrezikshmëri do të fillojnë së aplikuari nga paga e muajit nëntor, kurse për muajt e deritanishëm nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri për Pagat do të ndahen në mënyrë retroaktive”, ka theksuar Kurti.
E ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se kostoja e shtesave të miratuara nga Qeveria e kap vlerën prej 7.6 milionë eurosh. Ai ka shtuar se kjo shumë e tejkalon kufirin e paraparë me Ligjin për Pagat në Sektorin Privat.
“Konsiderojmë që është bërë një punë e jashtëzakonshme edhe nga grupi punues, edhe nga komisioni, në mënyrë që të sigurohemi që të ketë një shpërndarje dhe një vlerësim të drejtë, duke marrë parasysh të gjitha specifikat e punës, por njëkohësisht edhe kufizimet të cilat ekzistojnë qoftë me ligjet në fuqi, sa i përket rregullimit të pagave në sektorin publik, apo edhe me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë”, ka thënë Murati.
Për vendimin rreth vlerës së shtesave kanë shprehur pakënaqësi policët elitarë, të cilët javë më parë edhe kanë protestuar para objektit të Qeverisë. Në protestën e 1 nëntorit, ata kanë kërkuar takim me kryeministrin Kurti për diskutim mbi kërkesat e tyre që e përfshijnë përcaktimin e vlerës së shtesës së rrezikshmërisë në 50 për qind të pagës bazë, kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirjen në listën e ekspertëve.
Krahas njësitit elitar të Policisë, kundër vendimit të Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë kanë reaguar edhe nga Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës. Ata këtë vendim e kanë kualifikuar si selektiv dhe si “dëshmi e diskriminimit që po u bëhet”. Kanë paralajmëruar edhe protestë po qe se nuk u përmbushen kushtet.
“Zjarrfikësit e Kosovës ende nuk janë kompensuar për ndërrime të natës, festat shtetërore dhe fetare, orët jashtë orarit për vitet 2022-2023. Mospagesa e orëve jashtë orarit të ftuar në mobilizim në veri. Kjo gjendje dhe ky diskriminim ka arritur kulmin dhe zjarrfikësit e Kosovës kërkojnë drejtësi dhe kërkesat të plotësohen urgjentisht”, është theksuar në një komunikatë shtypi, të lëshuar nga Sindikata e Zjarrfikësve.
Në mesin e kërkesave, nga kjo Sindikatë janë numëruar kompensimi i rrezikshmërisë në punë, sigurimet shëndetësore, rritja e numrit të stafit me zjarrfikës të rinj, si dhe kontrollet sistematike të zjarrfikësve.
“Kërkojmë urgjentisht që të analizohet gjendja e rëndë që ka kapluar shërbimin e zjarrfikësve dhe shpëtimit në Kosovë, përndryshe zjarrfikësit e kanë humbur durimin dhe unanimisht kërkojnë që, për shkak të mosrealizimit të kërkesave dhe pritjeve me vite, mospërfilljes dhe anashkalimit që iu bëhen zjarrfikësve të organizojnë protestë”, është theksuar në komunikatë.
Krahas vendimit për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë, Qeveria të enjten ka miratuar edhe ndryshimin e programit vjetor për rezervat shtetërore të mallrave.
“Kemi ndërmarrë një sërë reformash. Politikat tona janë reflektuar përmes plotësim-ndryshimit të ligjeve, duke siguruar kështu standard të caktuar minimal për avancimin e politikave. Ndër këto kemi siguruar edhe buxhet shtesë dukshëm më të lartë në krahasim me planifikimin e varfër të qeverive paraprake, për sigurimin e rezervave shtetërore”, ka thënë Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Diskutimi lidhur me ndryshimet në program nuk ka qenë publik, teksa Kurti këtë e ka justifikuar me konfidencialitetin e të dhënave.
“Në dritën e këshillave nga institucionet përgjegjëse të sigurisë, të dhënat e tilla nuk do të bëhen publike, por sipas legjislacionit do të klasifikohen”, ka thënë ai.
Në mbledhjen e së enjtes, kabineti qeveritar i ka dhënë miratim edhe vendimit për blerjen e objektit të konsullatës së Kosovës në Strasburg. Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se ky vendim e shpreh “seriozitetin e Republikës për të qenë e pranishme në Strasburg, aty ku ndodhet edhe Këshilli i Evropës dhe ku kemi filluar procedurat dhe kemi një progres të caktuar”.
Qeveria e ka marrë gjithashtu vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronës së ndërmarrjes shoqërore “Ballkani”, Njësia Damper, e cila tash do të shfrytëzohet nga Ministria e Mbrojtjes. Me përfundimin e procedurave të shpronësimit, sipas hapave ligjorë të ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), do të kompensohen në vlerën prej 20 për qind të shumës edhe punëtorët e ish-fabrikës “Ballkani”. Ekzekutivi po ashtu ka caktuar Filloretë Gashi-Sadikun në krye të Bordit të drejtorëve të kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidromorava”, Gjilan.