Telenews

Qeveria vendos për pagesën me rastin e humbjes së një Arbitrazhi

Qeveria e Kosovës i ka ndarë sot 21 milionë euro për realizimin e pagesës ndaj ‘Contour Global’, kompanisë amerikane e cila e fitoi rastin kundër Kosovës në Arbitrazhin Ndërkombëtar.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, e propozoi sot në mbledhjen e Qeverisë ndarjen e mjeteve në shumë prej 21 milionë euro për pagesën e dëmshpërblimit ndaj kompanisë amerikane e cila vitin e kaluar e fitoi betejën kundër Kosovës në Arbitrazh.

“Bëhet fjalë për kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë që të ndahen mjetet shtetërore në shumën prej 21 milionë euro për pagesë, sipas vendimit të Tribunalit të Arbitrzahit, për rastin e Countour Global kundër Republikës së Kosovës”, tha ministri Murati.

Në fund të vitit 2017, ‘ContourGlobal’ kishte nënshkruar marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

Në rast të mospërfundimit të këtyre procedurave në një afat të caktuar kohor, me kontratë ishin paraparë ndëshkime financiare për palën, e cila nuk i përmbushë obligimet.

Kësisoj, pas zvarritjes së kontratës dhe kundërshtimit nga ambientalistët, kompania amerikane u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit në muajin mars të vitit 2020. Disa ditë më vonë, njoftoi se e ka dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për mosrespektim të kontratës.

Në Arbitrazhin Ndërkombëtar, ContourGlobal kërkoi dëmshpërblim nga Qeveria e Kosovës në vlerë prej 19.7 milionë eurosh.

Sipas marrëveshjes së vitit 2017, parashihej ndërtimi i termocentralit me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro. Si i tillë, ky projekt përfaqësonte investimin më të madh të huaj në Kosovë.

Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillohej të ndërtohej në vitin 2020, ndërsa të vihej në punë në vitin 2023.

Jetëgjatësia e termocentralit “Kosova e Re” ishte llogaritur të jetë 40 vjet.

Termocentralit “Kosova e Re” ishte kundërshtuar nga disa përfaqësues të shoqërisë civile.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet herë pas here me mungesë të energjisë elektrike.

Të ngajshme

Varroset 62-vjeçari që u vra mbrëmë në Prishtinë

Valjeta Turkaj

Kurti s’do donte t’i ndodhte kjo, pasi u mashtrua nga komedianët rusë që u paraqitën si Presidenti letonez

Valjeta Turkaj

Behgjet Pacolli: Kenia njohu sot zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës

Valjeta Turkaj