Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën rajonale “Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Europian”, deklaroi se Ministria e Arsimit po punon për rritjen e numrit të mësuesve specialë në shkolla.
“BE ka përcaktuar financim të veçantë që ndihmon vendet anëtare për të ecur në shinat e paracaktuara përmes dokumentit të garancisë evropiane dhe zbatuar masa konkrete në reduktimin e varfërisë së fëmijëve dhe nga ana tjetër në ngushtimin e hendekut që është tejet shqetësues në të gjithë hapësirën evropiane, sidomos si rezultat i goditjes që i dha pëlhurës sociale pandemia e disa viteve më parë.
Këtu, financimi i posaçëm i BE-së lidhet me përfshirjen aktive të qeverive dhe në ndërtimin e partneriteteve me organizata joqeveritare dhe me përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe sociale e shëndetësore dhe programe mbështetëse për prindërit. Në këto drejtime kemi bërë progres të dukshëm, një bazë e sigurtë për të ndërtuar më tutje duke synuar që të përfitojmë aktivisht nga financimi i BE-së”, tha Rama, raporton A2CNN.