Telenews

Rama: Situata e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë kërcënon interesin e Shqipërisë dhe rajonit

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se situata e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë kërcënon interesin e Shqipërisë dhe të të gjithë rajonit.

Në një konferencë për media, kryeministri Rama ka thënë se shteti i vetëm që fiton nga kjo situatë mes dy vendeve është Rusia.

Sipas tij, vendet nuk mund të vazhdojnë të presin që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë dhe që marrëdhëniet mes të dyja shtetet të normalizohen.

“Një kthim mbrapa dramatik për të gjithë rajonin dhe për që nuk mund të bëhen peng i lojës politike për elektorat, as të atyre në Kosovë dhe as të atyre në Serbi. Vendet tona dhe popujt tonë, shtetet tona në këtë lagje të Evropës, kanë një moment tjetër dhe një rrugë tjetër nga kjo që adreson qorrsokaku i veriut dhe nuk mund të vazhdojnë të presin me vite që ky proces dialogu të përfundojë, që marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës të normalizohen dhe ndërkohë sa herë e duan politikat e brendshme, në njërin apo tjetrin breg fillojnë konfliktet që vazhdimisht i kujtojnë të tjerëve se ky rajon është ai që mezi çdo vit po përpiqet të heqë damkën e tmerrshme të historisë dhe që papritur rizgjohet në anën e gabuar”, ka thënë Rama.

“Prandaj është e rëndësishme që ta kuptojnë të tërë, që nga ata që flasin për vëllezër të mëdhenj e të vegjël, tek ata që e shtyjnë zvarrë këtë proces se interesi ynë kombëtar, i Shqipërisë kërcënohet nga kjo situatë dhe ky rajon nuk është as i Albinit dhe as i Aleksandrit”, ka thënë Rama.

“Ky rajon është i popujve dhe i shteteve që e popullojnë dhe e administrojnë dhe ky rajon ka vuajtur boll nga nacionalistët dhe nga përplasjet e vazhdueshme të cilat mund edhe të kenë pasur justifikimet e tyre në kohërat e tjera, por nuk i kanë më sot kur jemi në mes të një Evropa që mbështet paqen. Kjo situatë i shkon për shtat vetëm një fuqie që është Rusia. Nga këto përplasje dhe kjo pafatësi për t’u ulur me durim dhe për të çuar përpara një proces, nuk fiton as Evropa, por fiton vetëm Rusia”, ka thënë tutje Rama.

Ai ka folur edhe në lidhje me marrëveshjen bazë në mes të Kosovës dhe Serbisë e që sipas tij të dyja vendet sillen sikur marrëveshja nuk ka ndodhur.

“Ka një marrëveshje bazë, e cila u dakordësua dhe të dy vendet sillen sikur ajo marrëveshje nuk ka ndodhur, kjo është e vërteta dhe kjo status quo nuk mund të vazhdojë më dhe prandaj duhet patjetër të dalim nga kjo lojë politike “Tom and Jerry”. Nuk janë aspak skenarë të mirë për ne e për interesin tonë kombëtar, për Shqipërinë, si një vend që kërkon të përparojë dhe gjithçka që ndodh rreth e rrotull na cënon ne në këtë rrugë në sytë e të gjithëve”, ka thënë Rama.

Ai ka thënë se është e domosdoshme ndërhyrja e presidentit të Francës dhe Kancelarit të Gjermanisë për të shtyrë zbatimin e kësaj marrëveshje, e cila sipas tij ka mbetur e pafirmosur.

“E domosdoshme që Presidenti i Francës dhe Kancelari i Gjermanisë të ndërhyjnë dhe të shtyjnë zbatimin deri në fund të asaj marrëveshjes bazë e cila mbeti e pafirmosur. Vajtje-ardhjet në Bruksel me këto xhirot janë kohë e humbur, situata në terren degradon përditë edhe shpërthimi i asaj situate në formën e një përplasje do të kishte pasoja të rënda”, ka thënë Rama.

Sipas tij, të dy liderët, duke të mbyllen brenda në një konferencë pa të drejtë dalje deri në përfundimin e bashkëbisedimit.

“Të 2 liderët të merren dhe të mbyllen brenda në një konferencë nën kujdesin e kumbarëve të planit që është dakordësuar në bazë në një konferencë normalizimi pa të drejtë dalje deri kur të përfundojë bashkëbisedimi dhe të trajtohen ato pika që askush nuk i kundërshton, por në të njëjtën kohë, secili ia hedh tjetrit fajin pse nuk zbatohen sepse nuk ka vullnet ky është fakti”, ka thënë Rama.

Të ngajshme

Komisioni Evropian e godet ashpër Serbinë me raportin e fundit

Donat Hashani

Kërkohet ndihmë për gjetjen e 15 vjeçares nga Prizreni që u zhduk që dy ditë

Donat Hashani

Ndalohet importi i shpezëve dhe produkteve të tyre nga Italia

Valjeta Turkaj