Qyteti i Vushtrrisë është tronditur ditën e hënë nga një vrasje e dyfishtë që ndodhi në fshatin Stanovc, ku një burrë ka vrarë një grua e më pas vetën.
Sipas raportimeve të deritanishme, viktimat kanë qenë punëdhënësi dhe punëtorja e tij, dhe se sipas familjarëve të gruas së vrarë, vrasja ka ndodhur për shkaqe xhelozie pse ia ka lënë punën.
Familjari i gruas së vrarë, Rrahim Ajeti, sot para mediave deklaroi se janë në pritje të raportit të obduksionit, për të vazhduar me procedurat e varrimit.
Gjithashtu, ai theksoi se ata nuk kanë pasur probleme më herët.
“Ne si familje jemi duke pritur raportin e obduksionit, dhe pastaj për të vazhduar me procedurat e varrimit. Nuk janë mirë, por Zoti ka dashtë kështu. Raport punëdhënës – punëmarrës, nuk kanë pasur probleme”, tha familjari i gruas.
Ndryshe, ngjarja tragjike ka ndodhur rreth orës 14:56.
Bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes dyshohet se kryesi i veprës, dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H., e më pas i dyshuari ka qëlluar edhe veten.