OKB-ja ka dënuar, siç i quajti, raportet “jashtëzakonisht shqetësuese” të familjeve të tëra që janë vrarë në veri-perëndim të Sirisë, pasi përleshjet midis forcave të sigurisë dhe besnikëve të regjimit të Assadit rezultuan në numrin më të lartë të vdekjeve të vendit që nga fillimi i revolucionit të tij në 2011.
Komisioneri i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, bëri thirrje për hetime mbi vrasjet dhe për përgjegjësinë e autorëve.
“Ne po marrim raporte jashtëzakonisht shqetësuese për familje të tëra, duke përfshirë gra, fëmijë dhe luftëtarë të dorëzuar të vrarë”, tha ai në një deklaratë.
“Vrasja e civilëve duhet të pushojë menjëherë”, shtoi Turk.
Bëhet e ditur se luftimet filluan të enjten pasi luftëtarët besnikë të regjimit të rrëzuar të Assadit zunë pritë ndaj forcave të sigurisë në Jableh, në provincën bregdetare të Latakias, duke shkaktuar një valë sulmesh hakmarrëse, duke përfshirë ato kundër civilëve që i përkasin sektit pakicë alavit.
Përleshjet shpërthyen edhe një herë të dielën pasi forcat e sigurisë u sulmuan nga besnikët e Assadit në një termocentral në Banias, Latakia, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Ndërsa për të shtypur rebelimin, qeveria siriane bëri thirrje për përforcime, me mijëra luftëtarë të mbledhur në brigjet e Sirisë nga i gjithë vendi.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR) me bazë në Mbretërinë e Bashkuar tha se më shumë se 1000 njerëz ishin vrarë në sulmet e fundit, duke përfshirë 745 civilë, 125 anëtarë të forcave siriane të sigurisë dhe 148 besnikë të Assadit.
Udhëheqësi i ri sirian, Ahmed al-Shaara, tha se zhvillimet ishin brenda “sfidave të pritshme” dhe bëri thirrje për unitet kombëtar.
“Ne duhet të ruajmë unitetin kombëtar dhe paqen e brendshme; ne mund të jetojmë së bashku”, tha ai.
Më vonë, u njoftua formimi i një komiteti prej shtatë personash, i ngarkuar me hetimin e vrasjeve të civilëve dhe forcave të sigurisë në Sirinë veriperëndimore.
Komiteti, i cili u formua për të “arritur paqen civile dhe zbardhjen e së vërtetës”, do të nxjerrë një raport me gjetjet e tij brenda 30 ditëve.
Ndryshe, SHBA dhe Rusia i kanë kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të takohen me dyer të mbyllura të hënën lidhur me dhunën në rritje.