Burime të Gazeta Sinjali brenda Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë kanë bërë të ditur se mëngjesin e sotëm është paraqitur një rast shqetësues që ka ngritur alarmin mes stafit mjekësor dhe autoriteteve.
Sipas informatave të siguruara, një grua 31-vjeçare nga një fshat (emër i njohur për redaksinë) i komunës së Vitisë, e cila sipas mjekëve vuan nga probleme të theksuara mendore, ka kërkuar abort në këtë institucion.
Pas ekzaminimit mjekësor është konstatuar se ajo është shtatzënë, por nuk ka ofruar asnjë informacion për identitetin e babait të fëmijës.
Ky fakt ka ngritur dyshime serioze se mund të kemi të bëjmë me një rast të dhunimit, pasi gjendja mendore e saj nuk e bën të aftë për të dhënë pëlqim të vetëdijshëm, e aq më pak për të ruajtur apo komunikuar të dhëna mbi marrëdhëniet e saj intime.
Menjëherë pas këtij alarmi mjekësor, stafi i Klinikës ka raportuar rastin në Polici.
Burimet e Sinjalit konfirmojnë se Prokurori kujdestar është njoftuar dhe ka autorizuar që rasti të trajtohet nga Hetimet Rajonale si rast i dyshuar për dhunim.
Gruaja është ende e shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, ndërsa hetimet kanë nisur për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe për të identifikuar nëse është konsumuar ndonjë vepër penale, për të cilën përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.
Gazeta Sinjali do të vijojë të përcjellë nga afër këtë rast që ka tronditur stafin mjekësor dhe po trajtohet si prioritet i lartë nga autoritetet hetimore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!