Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për herë të parë lidhur me vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili ndërroi jetë të hënën në Lipjan, në një rast ku dyshohet për përfshirjen e pesë zyrtarëve policorë.
Në hapje të mbledhjes së Qeverisë këtë të mërkurë, Kurti tha se është i tronditur nga ngjarja dhe se duhet pritur verdikti i plotë i institucioneve përkatëse.
“Dua t’i shpreh ngushëllime familjes Zejnullahu. Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve,” u shpreh Kurti.
Ai theksoi se për të kuptuar tërësisht atë që ndodhi në natën e 7 korrikut, është i domosdoshëm një hetim profesional dhe i pavarur nga të gjitha institucionet përkatëse.
Kurti u shpreh se bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, IPK-së, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e së vërtetës.
“Pres hetim të thellë dhe të shpejtë që zbardh të gjitha rrethanat, në mënyrë që të vendoset drejtësia dhe të ketë llogaridhënie. Nuk do të ketë strehë për askënd që ka tejkaluar kompetencat apo ka thyer ligjin gjatë detyrës zyrtare,” theksoi ai.
Megjithatë, Kurti kritikoi edhe reagimet që sipas tij përbëjnë anti-fushatë ndaj Policisë së Kosovës, duke i cilësuar ato si të dëmshme.
“Thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi janë të drejta, por ato duhet të bazohen në rezultatet e hetimeve dhe në verdiktin profesional,” tha Kurti.
Në fund, ai nënvizoi se drejtësia dhe parandalimi i rasteve të tilla mund të arrihen vetëm përmes një hetimi të plotë dhe vendimeve institucionale.