Telenews

Reagoi ashpër që nuk u konsultua për KiE, Osmani tash thotë se s’ka përplasje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar sa i përket raportit të saj me kryeministrin Kurti.

Osmani tha që nuk ka luftë politikë dhe se e vetmja gjë që kërkon është respektimi i Kushtetutës së Kosovës.

“E para nuk ka asnjë luftë politike, presidentja e Kosovës kërkon vetëm e vetëm që të respektohet Kushtetuta e Republikës, territorit, funksionaliteti apo parimi i unitaritetit të shtetit dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese sa i përket dokumentit të vitit 2015. Këto janë parime bazë të cilat unë kam kërkuar të respektohen, e po bëhen më shumë se 10 vite. Atë qëndrim që kam pasur si deputete, të njëjtin e mbaj edhe sot”, tha ajo.

Ajo shtoi se ku të vendoset interesi qytetar dhe interesi shtetëror mbi të gjitha, cdo dallim është i tejkalueshëm.

“Po e shoh që keni një unanimitet të plotë sa i përket kësaj pyetje, kështu që meqenëse po e shoh se ka interesim të madh, natyrisht që kur vendoset interesi shtetëror dhe interesi qytetar mbi të gjitha, çdo dallim është i tejkalueshëm. Se cili ka qenë dallimi ju të gjithë e dini, sepse për këtë gjë kemi folur publikisht, tash është e domosdoshme që të gjitha institucioneve e Kosovës, të gjitha partitë politike, bashkërisht të ulemi dhe të reflektojmë për çështje të interesit nacional. Për mua temat e interesit nacional nuk janë detaje të parëndësishme, janë tema të cilat kërkojnë kontributin e secilit prej nesh. Sepse të gjithë e duam Kosovën dhe kur ulemi së bashku dhe vendosim bashkërisht për tema të interesit nacional, atëherë domosdoshmërisht rezultati do të jetë i mirë, siç ka dëshmuar historia për këto 25 vite. Përtej dëshirës dhe vullnetin për ta mbrojtur Kosovën dhe Kushtetutën e saj unë edhe e kam detyrë kushtetuese këtë gjë dhe brenda këtyre suazave unë natyrisht bashkëpunoj me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, deklaroi Osmani pas takimit me kryetarët e komunave.

Osmani tha se presidentja nuk mban raport me parti politike, por raporti është ndërinstitucional.

“Nuk ka pasur përplasje, ose më fal raport Osmani-Vetëvendosje, presidentja nuk mban raport me parti politike, raporti ynë është ndërinstitucional, është krejtësisht normale dhe në fakt është detyrë e të gjitha institucioneve, qeverisë, kuvendit dhe presidencës që të bashkëpunojnë në interes qytetar, duke u bazuar në parimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve. Nuk ka këtu lidhja partiake ndonjë rëndësi por ajo për të cilën unë angazhohem vazhdimisht dhe do të vazhdoj të angazhohem është raporti korrekt në përputhje me Kosovën dhe në përputhje me interesin e Kosovës me të gjitha institucionet”.

Për këtë cështje u deklarua dje edhe kryeministri Kurti tha se ka “bashkëpunim të ngushtë” me presidenten Vjosa Osmani, ani pse kjo e fundit tregoi hapur se së fundmi ka munguar komunikimi Qeveri-Presidencë.

Kurti tha se nganjëherë ai ka diskutime e dallime edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, por shtoi se nuk beson që ato janë “të patejkalueshme”.

“Ne kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin Konjufca, edhe me ministren e Jashtme, Gërvalla, edhe me presidenten Osmani nuk kemi pasur diskutime, nganjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla të cilat janë të patejkalueshme apo..”, tha Kurti.

Një mungesë totale komunikimi ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës, e shpërfaqur para rreth dy javësh kur Kosova dështoi të anëtarësohej në Këshillin e Europës, i ka vënë përballë krerët e shtetit.

Moskoordinimi për një letër të dërguar në Strasburg në maj, pak para se Kosova të dështonte të anëtarësohej në Këshillin e Europës, duket se i dha fund marrëdhënieve të mira ndërmjet kryeministrit dhe presidentes. Vjosa Osmani tha se ajo letër e ka nxjerrë Asociacionin nga marrëveshja me Serbinë, gjë të cilën Albin Kurti e ka përdorur si argument kryesor përballë BE-së dhe SHBA-së kur e ka kundërshtuar themelimin e Asociacionit.

Osmani e kishte cilësuar qesharak një arsyetim të kryeparlamentarit Konjufca se mungesa e komunikimit Qeveri-Presidencë kishte ndodhur pa qëllim.

source

Të ngajshme

“24 qershori” Dita Nacionale e komunitetit Egjiptian të Ballkanit

Donat Hashani

Kryesia e Kuvendit sot mban mbledhje, ky është rendi i ditës

Donat Hashani

Ngjarjet kryesore për ditën e sotme

Donat Hashani