Real Madridi në prag të një epoke të re – Perez synon të ndryshojë modelin e pronësisë së klubit
Real Madrid po shqyrton ndryshimin e modelit të pronësisë 123-vjeçare dhe po konsideron disa ndryshime potencialisht drastike.
Presidenti veteran Florentino Perez duket i vendosur të kryejë një formë evolucioni para se të largohet nga pushteti.
Më herët këtë vit, Perez dhe Real Madrid kërkuan një studim nga firma e investimeve Clifford Chance mbi realizueshmërinë e konvertimit të secilës anëtarësi në aksion në Fondacionin Real Madrid, çka do ta bënte Fondacionin pronar shumicë të klubit.
Megjithatë, Clifford Chance këshilloi kundër kësaj rruge për shkak të disa kompleksiteteve ligjore.
Aktualisht, klubi është 100 për qind në pronësi të anëtarëve, dhe Presidenti, në këtë rast Perez, zgjidhet me votë.
The Athletic raporton se Los Blancos po intensifikojnë përpjekjet për të ndryshuar këtë model pronësie, dhe Perez pritet të japë më shumë informacion për një ndryshim të mundshëm në Asamblenë e Përgjithshme të këtij viti, e cila ende nuk është organizuar.
Një nga opsionet që është diskutuar është “ndarja e klubit në dy entitete të ndryshme”- njëra që merret me futbollin, dhe tjetra me biznesin.
Kjo do t’i lejonte investitorët të blinin aksione në të dytën, ndërsa tifozët do të ruanin kontrollin mbi të parën.
Një alternativë tjetër e diskutuar është modeli i aksioneve “50 + 1” që zbatohet në Bundesliga, ku tifozët duhet të mbeten aksionerët shumicë.
Megjithatë, thuhet se detajet financiare dhe ligjore të kësaj mbeten të vështira për t’u zgjidhur