Pas tri edicioneve të jashtëzakonshme me Bashkimin, basketbollistja më e mirë vendore, Arbnore Përçuku, është transferuar zyrtarisht te klubi Peja 03.
Përçuku, që konsiderohet si njëra nga basketbollistet më të mira në historinë e basketbollit të femrave në Kosovë, lë pas vetes një periudhë të artë me skuadrën prizrenase. Në tri vitet e fundit, ajo ka fituar plot nëntë trofe me Bashkimin, përfshirë tri kampionate, tri Kupa të Kosovës dhe tri Superkupa, duke qenë lidere në të gjitha sukseset e klubit.
Me këtë transferim, Peja 03 përforcon ndjeshëm skuadrën në prag të edicionit të ri, duke e shtuar në radhët e saj një basketbolliste që ka dominuar arenën vendore dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Bashkimit.
Arbnore Përçuku pritet të jetë një ndër shtyllat kryesore të projektit ambicioz të Pejës për sezonin 2025/26.
Me Pejën 03, Përçuku do të luajë për herë të parë në një kompeticion evropian si Euro Cup Women.