Personi përgjegjës i kompanisë ndërtuese ‘NBT-ING’, Bekim Baftjaraj dhe zyrtari i Komunës së Prishtinës, Ylber Jashari, kanë dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi të njëjtit u arrestuan pas rënies së çatisë së objektit të Komunës, ku mbeti e lënduar rëndë një vajzë e re.
Përmes një komunikate për media, Gjykata njofton se gjyqtarja ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës Ndalim për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar ndaj të dyshuarit Jashari.
“Të pandehurit Y.J i caktohet masa e Ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar, ashtu që të pandehurit Y.J i ndalohet qasja në zyret e Komunës së Prishtinës si dhe kontakti me kolegë e tij të punës. Kjo masë, sipas këtij aktvendimi, do të zgjasë nga data 22.01.2024 deri me datë 21.02.2024 dhe në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga I pandehuri Y.J, të njëjtit do t’i zëvendësohet kjo masë me masën e paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Baftjarajt, duke ia caktuar atij masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.“Të pandehurit B.B iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1(një) muaj, masa e arrestit shtëpiak të pandehurit B.B, i llogaritet duke filluar që nga data e ndalimit 22.01.2024 deri me date 21.02.2024. Konform nenit 181 pararafi 5 të KPPRK, gjykata mund të caktoj masën më të rëndë – paraburgimin, nëse i pandehuri nuk e respekton masën e shqiptuar”, thuhet në komunikatë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.