Telenews

“Rikthehet” Asoaciacioni, Kurti për draftin e Lajçak: “Le ta çojnë në Venecia…”

 

 

Moslëvizja për Asociacionin  është vënë si pengesë kryesore që s’po e lë Kosovën të anëtarësohet në Këshillin e Europës. Kryeministri thotë se shtetet anëtare “ndryshuan qëndrim” në fund dhe se ato “mund të na vonojnë, por nuk mund të na ndalin”. Albin Kurti nuk do të ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese një “draft ndërkombëtar”. Për atë që u bë kusht për anëtarësimin e vendit në KiE, Kurti thotë “lirisht le ta çojnë tek juristët eminentë në Këshill të Evropës dhe në Komision të Venedikut”. “Dokumentin tim unç e çoj në Gjykatë Kushtetuese”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti është kthyer të flasë për Asociacionin. Mosdërgimi i draft-statutit të propozuar ndërkombëtar për këtë bashkësi komunash në Gjykatën Kushtetuese muajin e kaluar, po e mban vendin jashtë Këshillit të Europës.

Kurti refuzoi kushtin e vënë, ndonëse shpresonte se një “letër e garancisë” se Asociacioni do të themelohej pas anëtarësimit, e më pas një përpjekje e fundit me një tjetër letër të dërguar në Strasburg se një draft-statutit i ri do të dërgohej në Gjykatë deri në fund të muajit, do të bënin që Kosova të futej në KiE.
<
Dështimi nuk u shmang dhe çështja u la jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave.

Ai tha se është i gatshëm ta shkruajë një draft-statut për Asociacionin, nëse do të ketë dakordim për parimet dhe që ai të mos jetë jashtë paketës së marrëveshjes me Serbinë.

Kurti tha se ndërkombëtarëve ua ka ofruar “një rrugëdalje” që thotë se “është më e logjikshmja dhe racionalja”.

“Në situatën ku ata insistojnë në draftin e Lajçakut dhe të emisarëve të tjerë për Asociacionin, dërgojeni në një instancë ndërkombëtare. Mund të jenë juristët eminentë të Këshillit të Evropës, mund të jetë Komisioni i Venedikut, por jo në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, tha Kurti të mërkurën në një intervistë për A2CNN.

Draft-statutin që i thanë ta dërgonte në Kushtetuese, Kurti përsëriti se “është një ‘non paper’, është një dokument punues” që tha se “nuk ka as logo, as vulë, as nënshkrim”.

“Nuk mundemi një ‘non paper’ çfarë shpesh na i kanë dhënë ambasadat në të kaluarën për çështje të ndryshme, ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha Kurti.

“Është draft ndërkombëtar, nuk është vendor. Në Gjykatën Kushtetuese ne dërgojmë dokumente që janë vendore. Një dokument ndërkombëtar le të shkojë le të testohet në një instancë ndërkombëtare. Prandaj po them, draftin e Lajçakut dhe të emisarëve të tjerë të 21 tetorit, lirisht le ta çojnë tek juristët eminentë në Këshill të Evropës dhe në Komision të Venedikut”, përsëriti kryeministri.

“Dokumenti është i tyre, nuk është i imi”, theksoi Kurti, ndërsa shtoi se “dokumentin tim unë e çoj në Gjykatë Kushtetuese, por dokumentin tim”.

Megjithëse refuzoi ta dërgojë në Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga ndërkombëtarët, duke refuzuar kështu kushtin për anëtarësimin e Kosovës në KiE në maj, Kurti shpresonte për “më të mirën për 17 maj”.

Qeveria e çoi një letër në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave, në një përpjekje të fundit për t’i bindur ministrat e shteteve anëtare të kësaj organizate për ta futur Kosovën në agjendën e takimit të tyre, duke premtuar përgatitjen e një draft-statuti të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që thoshte se do t’i dorëzohej Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim deri në fund të majit.

Kështu, Ekzekutivi shpresonte që pas këtyre “hapave konkretë dhe të prekshëm”, Komiteti i Ministrave do të vendoste përfundimisht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, gjë që nuk ndodhi.

Presidentja nuk e mbështeti këtë letër që mbante nënshkrimin e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila tash e drejton Guxo-në, partinë, kryetare e së cilës ishte Vjosa Osmani deri në prill të vitit 2021. Presidenca tha se ajo nuk ishte konsultuar për të.

Ajo letër, sipas Osmanit e ka ndryshuar “në tërësi” qëndrimin e mbajtur nga Kosova deri atë ditë për çështjen e Asociacionit.

“Të thuhet që një informatë kaq fundamentale për një proces kaq kapital që e ka ndryshu në tërësi qëndrimin që ne e kemi mbajtë deri atë ditë, që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës… të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë, sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët”, u shpreh ajo, duke kujtuar se “është domosdoshmëri kushtetuese, në përputhje me nenin 84, që qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme, që sipas kushtetutës sonë, gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i Presidencës”.

Kurti thotë se deri në instancën e fundit vendimmarrëse në procesin e anëtarësimit në KiE, Asociacioni “nuk ka qenë kusht asnjëherë” dhe se “ai është paraqitur si diçka që vjen pas anëtarësimit, jo para anëtarësimit”.

“Por ne e pamë që disa shtete anëtare ndryshuan qëndrim, nuk ndryshuam ne. Kjo tregon për Këshillin e Evropës, jo për ne”, tha Kurti, duke shtuar se kjo ishte “hera e parë që Këshilli i Ministrave ia vonon vendimin Asamblesë Parlamentare”.

“Ata neve mund të na vonojnë, por nuk mund të na ndalin në këtë anëtarësim”, tha Kurti.

Tash, kur është konfirmuar se një lëvizje e rëndësishme drejt themelimit të Asociacionit është e pashmangshme për anëtarësim në KiE, Qeveria është e gatshme ta shkruajë një draft-statut me shpresën se deri në fund të vitit do të pranohet në organizatën më të vjetër politike ndërkombëtare në Europë.

Para disa ditësh, kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mioza Kusari Lila tha se Kosova është e interesuar ta gjejë një zgjidhje për çështjen e Asociacionin, që “nuk paraqet rreziqe”, ndërsa shtoi se është “e bindur se Kosova do të jetë anëtare e KiE-së shumë me herët, ndoshta edhe para përfundimit të këtij viti”.

Maji, muaji i kaluar, ishte një mundësi e humbur. Në javën e parë të atij muaji ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefi i zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë ishin në Qeveri për t’i kërkuar kryeministrit që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit përpara se të mblidhej Komiteti i Ministrave.

Atyre, Albin Kurti iu tha se “Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim”, ua përmendi “letrën e garancisë” për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pas anëtarësimit dhe iu tha se “Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor”.

Siç njoftonte Zyra e Kryeministrit, Kurti iu kishte thënë mysafirëve ndërkombëtarë se “normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg” e se “këto dy procese nuk duhet të përzihen”.

“Kryeministri theksoi se neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër. Ai kujtoi se me 26 tetor, u refuzua oferta për t’u nënshkruar Marrëveshja në pako që do t’i hapte rrugën zbatimit të plotë të Marrëveshjes, duke përfshirë nenin 7 të saj ndërlidhur me nenin 10. Në këtë drejtim, Kryeministri e ritheksoi se dokumenti i ofruar si draft statut nga Lajçak për zbatimin e nenit 7 ndërlidhur me atë 10, nuk është pranuar me 26 tetor vitin e kaluar në Bruksel”, u tha në komunikatën e ZKM-së.

Më 16 prill, 80% e deputetëve në Asamblenë Parlamentare votuan që Kosova të avancojë më tej në rrugën e anëtarësimit në Këshillin e Europës. Por Kurti u paralajmërua menjëherë se “tani vjen puna e vështirë”. Përpara ngecjes te Komiteti i Ministrave, ai tha “s’bëj hapa të cilët rrezikojnë Kosovën, sovranitetin, integritetin territorial, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e saj”.

Kosova hapin e parë të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës e bëri më 27 mars, kur me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

source

Të ngajshme

Në mbledhje elektronike, qeveria bën dy emërime

Donat Hashani

Kandidati për prokuror të shtetit ndalohet për dhunë në familje nga Prokuroria e Prizrenit

Donat Hashani

Zyrtarja e lartë e PDK-së sot mban konferencë për media

Donat Hashani