Princi Harry po shpreson për një ribashkim publik me babanë e tij, mbretin Charles III, gjatë edicionit të ardhshëm të Lojërave Invictus, që do të zhvillohen verën e ardhshme në Birmingham.
Sipas raportimeve, organizatorët e Lojërave Invictus planifikojnë t’i dërgojnë një ftesë zyrtare mbretit për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes ose të mbylljes, si edhe për të vizituar garat sportive dhe për t’u takuar me pjesëmarrësit, shkruan Mirror.
Nëse monarku e pranon ftesën, kjo do të ishte hera e parë pas disa vjetësh që ai dhe djali i tij do të shfaqeshin së bashku në një aktivitet publik, një zhvillim që mund të sinjalizojë një përmirësim të marrëdhënieve mes tyre.
Princi Harry, themelues i Lojërave Invictus, pritet të jetë i pranishëm gjatë gjithë aktivitetit, ndërsa një pjesëmarrje e mbretit Charles do t’i jepte ngjarjes një simbolikë të veçantë dhe do të rriste pritshmëritë për një afrim mes familjarëve.
Herën e fundit që mbreti Charles dhe princi Harry u panë së bashku në publik ishte në shtator të vitit 2022, gjatë ceremonive mortore të mbretëreshës Elizabeth II. Më herët, ata morën pjesë edhe në festimet e jubileut të Platinit të mbretëreshës, po atë vit.
Edhe pse Harry mori pjesë në kurorëzimin e mbretit Charles në maj 2023, ai nuk u përfshi në aktivitetet publike dhe u kthye në Kaliforni vetëm 24 orë pas mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar.
Mbetet për t’u parë nëse mbreti Charles do ta pranojë ftesën, por një takim i mundshëm në Birmingham, do të konsiderohej një moment i rëndësishëm në raportet mes babait dhe djalit, të cilat prej vitesh kanë qenë të tensionuara.

