Telenews

Risia e fundit nga hetimet për vrasjen e Ivanoviqit

Në gjykimin për vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, në seancën e së premtes është bërë shikimi i një video-incizimi të kamerave, sipas kërkesës së mbrojtësit së të akuzuarit Marko Roshiq, avokatit Mahmut Halimi.

Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, bëri të ditur se një flash-disk ku janë të vendosura të gjitha incizimet ku janë diku 61GB ia ka përcjellë mbrojtësit së të akuzuarit Nedelkjo Spasojeviq, avokatit Faruk Kornica, që i njëjti pastaj t’ua përcjell të tjerëve avokatë.

LEXO EDHE:

Rrëfim ekskluziv: Drejtori i Policisë tregon se si u vranë tre pjesëtarët e grupit terrorist të sulmit në Banjskë

Në bazë të kësaj, gjykatësi Kurtaj tha më 18 tetor 2023, ka dërguar email për të kërkuar sqarim nga mbrojtësit se a e kanë marrë këtë disk dhe a kanë propozime konkrete se cilat pjesë të shikohen.

Sipas tij, avokati Halimi ka kërkuar që të shikohen tri video-incizime të kamerave dhe ato tek Jugo Banka, bastorja “Brazil” dhe një video në rrugën ku ka banuar tani i ndjeri Ivanoviq.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Rade Basara sipas gjykatësit Kurtaj ishte përgjigjur se nuk ka ndonjë propozim për shikimin e videove për shkak se nuk lidhen me të mbrojturin e tij.

Tutje, sipas gjykatësit Kurtaj, mbrojtësi i të akuzuarit Zharko Jovanoviq, avokati Ljubomir Pantoviq kishte kërkuar që të shikohen video incizimet lidhur me gëzhojat në vendin e ngjarjes.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarës Silvana Arsoviq, avokatja Jovana Filipoviq, sipas gjykatësit Kurtaj ka kërkuar që të shikohen video incizimet e ditës kritike tek selia e Iniciativës Qytetare “SDP”.

Lidhur me këto kërkesa, avokati Halimi tha se i njëjti më tepër është referuar tek shkresat e lëndës, përkatësisht transkriptimet e përshkrimeve të nxjerra nga kamerat e sigurisë që ka të bëjë me ditën kritike para se të ndodh rasti.

“Në propozimin të cilin e kam bërë ka të bëjë me ditën kritike para se të ndodh rasti, kur dy vetura shihen duke prit tek dera e ndërtesës ku ka banu zoti Ivanoviq, dhe pastaj kamerat tjera përcjellin zhvillimet e lëvizjes se këtyre automjeteve deri në vendin kritik ku eshë kryer vrasja”, tha avokati Halimi.

Sipas tij, i mbrojturi i tij Roshiq, nuk shihet në asnjë vend të vetëm.

“E krejt kjo për të dëshmuar faktet se Marko Roshiq nuk ka qenë korrier i kurrkujt, nuk e ka përcjell askënd”, tha Halimi.

Të njëjtat avokati Halimi kërkoi që të shikohen dhe të shfaqen edhe për publikun, pasi që sipas tij, ka rëndësi të madhe që ta sheh opinioni se çfarë ka ndodhur ditën kritike para se të ndodh vrasja.

Mirëpo, sa iu përket mediave, gjykatësi iu drejtuar avokatit Halimi, duke i thënë se gjykimi është publik dhe të gjithëve iu është ofruar qasje, por si trup gjykues ai tha se janë të obliguar me pas drejtësi penale.

“Nëse ju e keni të patjetërsueshme me i pa videot për ju, për sallë për çështje gjyqësore procedurale patjetër që do ta bëjmë, mirëpo sa i përket mediave, gjykimi është publik mediat janë tu e pa gjykimin na nuk bëjmë gjykim për media, vetëm gjykim për me vendos drejtësi për aq sa na i kanë dhanë mandati, ligji, Kodi i Procedurës Penale”, tha gjykatësi Kurtaj.

I akuzuari Spasojeviq si dhe avokatët Filipoviq dhe Pantoviq deklaruan se video-incizimet tek selia e “SPD” nuk u janë hapur.

Pas një pauzë të trupit gjykues, për të parë se cilat video mund të lëshohen nga teknika në sallë, u mundësua shikimi i vetëm një video-incizimi i propozuar nga avokati Halimi, pra, video-incizimi tek Jugo Banka.

Të tjerat incizime për këtë seancë ishte e pamundur të lëshoheshin, por të tjerat video incizime mbeten që të shikohen në seancën e radhës e cila pritet të mbahet më 30 tetor 2023.

Ndryshe, paraprakisht në këtë seancë, gjykatësi Kurtaj bëri të ditur se duke vepruar në bazë të kërkesës së avokatit Tomë Gashi, lidhur me sigurimin e të dhënave përmes ndihmës juridike ndërkombëtarë për kalimin kufitar të Rade Basara se në ditën kritike i njëjti kishte udhëtuar në Kroaci, Kurtaj tha se iu ka drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje nga ta.

Gjatë seancës ka pasur përplasje verbale në mes kryetarit të trupit gjykues, Valon Kurtaj dhe mbrojtësja e të akuzuarit Dragisha Markoviq, avokatja Milka Milosavljeviç.

Avokatja Milosavljevic ka pasur vërejtje në përkthimin nga gjuha shqipe në atë serbe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Avokate a ka mundësi pak ma qete, e respekton mas pari gjykatën, e ngre dorën, kërkon leje, me ta dhënë lejen, zojë, ngritu në kam, mos përkthe, ngritu në kam avokate”, ka urdhëruar Kurtaj.

Ai i ka dhënë vërejtje të njëjtës duke i thënë se ajo nuk i jep urdhrat këtu.

“Ti në qofte se ki shqetësim për kualitetin e përkthimit duhet te kërkosh leje prej gjykatës mas pari, ta respektosh rendin në gjykate, të kërkosh të përkthehet në mënyrë profesionale, e mandej ne do të shikojmë mundësinë që të ofrojmë përkthim profesional, mirëpo nuk jeni as ju as prokurori, askush në sallë ai që mund t’i drejtohet përkthyesit t’i thotë mos përkthe e përkthe, e për çdo çështje kërkojmë leje”, kështu ka reaguar gjyqtari Kurtaj.

Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës së 27 dhjetorit 2019 dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e tyre dhe çështja ishte kthyer në rivendosje dhe nga Themelorja u kërkua të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Më pas, më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, sipas së cilës, Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal, lidhur me veprat penale “Vrasje rëndë” nga neni 179, par.1.9 të Kodit Penal dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.2, nënpar.2.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

I akuzuari Dragisha Markoviq akuzohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” nga neni 433, par. 2.1 të Kodit Penal. Markoviq po ashtu bashkë me Zharko Jovanoviq akuzohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar. 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, i akuzuari Jovanoviq ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal. Kurse, i akuzuari Nedeljko Spasojeviq ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal. /Telenews.al/

Të ngajshme

Kryeziu kundërshton KQZ-në për heqjen e sprejit në gishta me rastin e zgjedhjeve

Donat Hashani

Aksion i madh i Inspektoratit: Mbyllen 30 biznese të “muzikës live” dhe “qendrave të masazheve”

Donat Hashani

Arrestohet në kufi kosovari i kërkuar nga Zvicra për shpëlarje parash, falsifikim e mashtrim

Donat Hashani