Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është raportuar dje, në fshatin Llozicë të komunës së Malishevës, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë fizike dhe psikike të përsëritur.
Sinjali mëson se viktima është M.GJ, 27 vjeçare, e cila ka deklaruar para Policisë se bashkëshorti i saj, Bledar Dobruna, 28 vjeçar, e ka keqtrajtuar në vazhdimësi, ndërsa incidenti i fundit ndodhi pikërisht atë ditë, kur pas një mosmarrëveshjeje verbale, ai e sulmoi fizikisht duke e goditur me grushta në regjionin e kokës dhe të shpinës.
Pas denoncimit, viktima është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar dhe më pas është dërguar për kontroll mjekësor. Me pëlqimin e saj deklarativ, ajo është strehuar te prindërit në fshatin S. bashkë me dy fëmijët e saj.
Nga ana tjetër, i dyshuari është larguar nga vendbanimi dhe ndodhet në arrati. Policia nuk ka arritur të sigurojë prezencën e tij në momentin e raportimit të rastit.