Telenews

Rrëmbimi si në filma në Veternik në pranga 8 persona, mes tyre një zyrtar policor

Një rast i ngjashëm me skenat e filmave është zbuluar nga Policia e Kosovës pas hetimeve të thelluara për ngjarjen e ndodhur më 18 shtator 2025, rreth orës 23:10, në lagjen Veternik të Prishtinës, ku një person është rrëmbyer me dhunë dhe mbajtur peng gjatë gjithë natës.

Si ndodhi rrëmbimi?

Sipas të dhënave që ka siguruar Gazeta Sinjali, ngjarja ka ndodhur pranë pompës së derivateve “Valoni Petrol” në Veternik, ku viktima M.O., rreth 42-vjeçar është sulmuan nga disa persona dhe futur me forcë në një automjet. Më pas, ai është dërguar në një shtëpi të pabanuar në fshatin Murge të Skenderajt, ku është mbajtur peng gjatë gjithë natës dhe dyshohet se është keqtrajtuar fizikisht.

Nga “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” në “Rrëmbim”

Fillimisht, rasti ishte iniciuar nga Stacioni Policor Jugu – Prishtinë si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, por pas zhvillimeve të hetimeve dhe konsultimit me Prokurorin kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ai është ri-kualifikuar në “Rrëmbim”.

Të dyshuarit dhe arrestimet

Pas veprimeve hetimore, janë identifikuar dhe arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje në ngjarje: Isak Foniqi, rreth 32-vjeçar, Granit Toplana, rreth 30-vjeçar, Bajram Islamaj, rreth 33-vjeçar, Burim Foniqi, rreth 54-vjeçar, Arion Foniqi, rreth 30-vjeçar, Agon Foniqi, rreth 30-vjeçar, Astrit Morina, rreth 46-vjeçar dhe Afrim Foniqi (zyrtari policor).

Fillimisht janë arrestuar Isak Foniqi dhe Granit Toplana, për të cilët Prokurori i Krimeve të Rënda ka lëshuar vendim për ndalim.

Më 25 shtator 2025, në NJHP-Prishtinë është paraqitur i dyshuari i tretë, i cili ka dorëzuar një armë zjarri të tipit “Cervena Zastava”, cal. 7.62, Mod. 70, me një karikator pa fishek, që dyshohet se është përdorur gjatë rrëmbimit. Ai është ndaluar për 48 orë.

Po të njëjtën ditë, në orën 13:00, i dyshuari i katërt është shoqëruar nga Policia e Malishevës në Prishtinë dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Zbulohen edhe katër persona të tjerë të përfshirë

Hetimet kanë vazhduar deri më 20 tetor 2025, kur katër persona të tjerë janë paraqitur në Njësinë për Hetime të Përgjithshme në Prishtinë. Të gjithë janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve dhe me aktvendim mbi ndalim janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Gjatë kontrollit dhe sekuestrimit të provave materiale: Nga i dyshuari Astrit Morina është sekuestruar një armë e gjatë automatike e tipit AK-47 me karikator të zbrazët; Nga i dyshuari Arion Foniqi, është gjetur një armë lodër në dukje si AK-47.

Hetimet në vazhdim

Të gjithë të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa rasti po hetohet nga Njësia e Hetimeve Rajonale në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës – Departamenti i Krimeve të Rënda.

Hetuesit po punojnë për zbardhjen e rolit të secilit të përfshirë dhe motivit të rrëmbimit, ndërkohë që pista e përfshirjes së një zyrtari policor në këtë rast e ka rënduar më tej dosjen.

Rasti “Rrëmbimi në Veternik” mbetet një nga ngjarjet më të rënda të këtij viti në kryeqytet, për nga mënyra e organizimit dhe numri i personave të përfshirë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Të ngajshme

Tre të lënduar pas një aksidenti te rrethi i Spitalit

Valjeta Turkaj

Osmani uron kryeministren e re të Japonisë: Mezi presim të punojmë bashkë për të forcuar bashkëpunimin tonë

Valjeta Turkaj

Deputeti i AAK-së ia mbyllë derën Kurtit: Me asnjë çmim nuk përfshihemi në një Qeveri me të

Erzana Fazliu