Telenews

Rreth 100 mijë vota e presin KQZ-në për t’i numëruar javën e ardhshme

rreth-100-mije-vota-e-presin-kqz-ne-per-t’i-numeruar-javen-e-ardhshme

Një proces tjetër numërimi do të nisë gjatë javës që vjen. Fjala është për numërimin e votave me kusht e atyre të ardhura nga jashtë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se pas përfundimit të të gjitha procedurave, që janë skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht, vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, KQZ do të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës.

Ai njoftoi se numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota.

I pyetur për procedurat tjera, pas përfundimit të numërimit në 38 Qendra Komunale të Numërimit, tregoi, materialet zgjedhore të vendvotimeve, ku bëjnë pjesë edhe lista e votuesve në të cilën janë nënshkruar qytetarët që kanë votuar, dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Një nga punët që bëhet në këtë qendër është edhe skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në 2 mijë e 533 vendvotime të rregullta në ditën e zgjedhjeve. Skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillojmë me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse na ndihmon që të sigurohemi se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht. Pasi të kryhen këto procese, do të mund të fillojë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës”, sqaroi ai.

Të ngajshme

Salla “1 Tetori” në gjendje të rënduar pas përfundimit të numërimit të votave

Valjeta Turkaj

Aksident në Fushë Kosovë, treni godet veturën

Valjeta Turkaj

Petritsch: Ndërmjetësi i ri është serioz, zgjidhja Kosovë-Serbi çështje e rëndësishme për Evropën

Valjeta Turkaj