Telenews

Rrëzohet kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për zëvendësimin e gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për të hequr ose zëvendësuar gjyqtarin e procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

“Më 8 prill, kryetare Trendafilova rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për të hequr ose zëvendësuar gjykatësin Nicolas Guillou si gjykatës të vetëm”, tha zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle, përmes informimit javor.

Sipas Doyle, kërkesa është bërë mbi bazën se Guillou është betuar si gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe mbrojtja e Thaçit ka argumentuar se pavarësia e këtij gjyqtari cenohet.

“Kërkesa u bë mbi bazën se gjykatësi Guillou, bëri betimin si gjykatës në GJPN më 8 mars 2024 dhe do të ushtrojë funksionet e tij gjyqësore në GJPN, duke filluar nga 19 gushti 2024. Zotëri Thaçi argumentoi, ndër të tjera, se pavarësia e gjykatësit Guillou cenohet nga fakti që ai përgjigjet para dy gjykatave dhe meqenëse do të përgatitet për të punuar me çështjet që do t’i ngarkohen në GJPN, nuk do të jetë i disponueshëm për të punuar në DhSK”, tha ai.

Tutje, Doyle theksoi se në vendimin e saj, kryetarja ka konstatuar se nuk ka kompetencë për zëvendësimin e një gjykatësi, përveç në disa raste.

“Përveç nëse gjykatësi nuk është më në gjendje të kryejë detyrat e veta, dhe ky nuk është rasti me gjykatësin Guillou, sepse ai do të ushtrojë funksionet gjyqësore në GJPN duke filluar nga 19 gushti 2024”, tha Doyle.

Zëdhënësi i DhSK-së shtoi se sipas Trendafilovës, Thaçi nuk ka argumentuar se pse është cenuar pavarësia e gjyqtarit Guillou.

“Dhe se asnjë gjykatës nuk mund të hiqet mbi bazën e pretendimeve të përgjithshme apo abstrakte, që nuk janë as të bazuara dhe as të detajuara. Ajo doli në përfundimin se disponueshmëria e gjykatësit Guillou për të ushtruar funksionin si gjykatës i vetëm është aspekt që vlerësohet nga kryetarja dhe është i natyrës administrative dhe jo objekt apelimi prej palëve”, tha zëdhënësi i DhSK-së.

Doyle shtoi se seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore është planifikuar të mbahet më 22 prill.

Ndërsa, në javën tjetër (15-18 prill 2024) pritet që të bëhen deklaratat përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

“Në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, deklaratat përmbyllëse do të mbahen nga data 15-18 prill 2024, ku do të fillojë Prokuroria më 15 dhe 16 prill, e pasuar nga deklaratat përmbyllëse të mbrojtësit të viktimave dhe të mbrojtjes. Zotëri Shala gjithashtu do të bëjë një deklaratë pasi të kenë përfunduar parashtrimet e tyre palët dhe mbrojtësi i viktimave. Pasi, kryegjykatësja ta deklarojë çështjen të mbyllur, gjykatësit e trupit gjykues do të kuvendojnë në mënyrë konfidenciale për të dalë me një aktgjykim në lidhje më akuzat në aktakuzë. Aktgjykimi do të shqiptohet brenda 90 ditësh nga mbyllja e gjykimit, përveç nëse rrethanat kërkojnë më shumë kohë”, tha ai.

U vazhdohet paraburgimi Haxhi Shalës dhe Sabit Januzit.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit për Haxhi Shalën dhe Sabit Januzin.

Kjo është bërë e ditur gjatë konferencës javore të DhSK-së të enjten (11 prill 2024).

“Paneli i Gjykatës Kushtetuese përbëhet nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti. Më 8 prill, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës”, tha zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle.

Sipas tij, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka konstatuar se për dy të akuzuarit ekziston rreziku i pengimit të procesit gjyqësor si dhe i arratisjes.

“Ai konstatoi për të dy të akuzuarit se ekziston ende rreziku i arratisjes, i pengimit të procesit gjyqësor si dhe rreziku i kryerjes së krimeve të tjera, veçanërisht duke pasur parasysh se me ecurinë e procesit të nxjerrjes së materialeve, të akuzuarit kanë më shumë qasje në informacione të ndjeshme”, tha ai.

Ndërsa, në të njëjtën çështje gjyqësore është caktuar edhe paneli i Gjykatës Kushtetuese, lidhur me kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve për kundërshtimin e ndryshimeve në Rregulloren e Ndihmës Jurdike nga Zyra Administrative.

“Në çështjen gjyqësore Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala, kryetarja e Dhomave të Specializuara, më 5 prill caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese, për të vendosur lidhur me kërkesën referuese të të akuzuarve, me të cilën kundërshtojnë ndryshimet në Rregulloren e Ndihmës Juridike nga Zyra Administrative. Paneli i Gjykatës Kushtetuese përbëhet nga gjykatësit, Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti. Më 8 prill, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Sabit Januzit dhe të Haxhi Shalës”, tha Doyle.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor, ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë. / Betimi për Drejtësi

source

Të ngajshme

Osmani reagon pas sulmit në Uashington: SHBA mbetet mbrojtësi i lirisë dhe demokracisë

KushtrimGuraj

Ekipi i FSK-së udhëton drejt Gazës

KushtrimGuraj

Moti sot: I qëndrueshëm, me diell dhe temperatura në rritje

KushtrimGuraj