Kosova ka arsye të krenohet sot! Rrezon Elezaj, talenti 17-vjeçar nga Peja, është shpallur kampion i Ligës Turke për të rinj (Basketbol Gençler Ligi – BGL), pas një finaleje të madhe ku ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm për ekipin e tij.
Pas 51 ndeshjesh të luajtura gjatë kampionatit, skuadra e Rrezonit arriti të sigurojë finalen pas dy fitoreve radhazi ndaj ekipit Alia Petkin në gjysmëfinale. Në ndeshjen për titull, ekipi i tij tregoi dominim të plotë dhe djaloshi nga Kosova ishte një nga kontribuuesit kryesorë drejt fitores.
Ky sukses është një tjetër hap i madh për Rrezonin, i cili tashmë është edhe pjesë e kombëtares turke U17, me të cilën është shpallur nënkampion bote, ndërsa aktualisht është në pritje të ftesës për kualifikimet e Kampionatit Evropian U18.
I rritur në Pejë, me pasion për sportin dhe disiplinë të admirueshme, Rrezoni vazhdon të jetë një nga shembujt më të mirë të rinisë kosovare që po shkëlqen jashtë vendit. Përpara finales ai u shpreh tejet optimist, dhe me trofeun tashmë në duar, ai premton të mos ndalet.
Ky sukses nuk është vetëm personal për Rrezonin, por është edhe një mesazh i fuqishëm për të gjithë të rinjtë në Kosovë: me punë dhe përkushtim, ëndrrat nuk njohin kufij.