Rrjeti i Grave ka shprehur hqetësim të madh për rastin e ndodhur në mëngjesin e sotëm në Fushë Kosovë, ku bashkëshorti ka tentuar të vrasë gruan e tij.
Përmes një komunikate për media, thuhet se brenda 4 ditëve, ky është rasti i dytë i tillë. Në të dyja rastet, viktimat u ishin drejtuar institucioneve për ndihmë. Në Fushë Kosovë, para katër ditësh, vrasësi në tentative, ishte mbajtur vetëm 48 orë në paraburgim, pas daljes ai tentoi ta vras gruan e tij.
“Femicidi dhe rastet recidive të dhunës me bazë gjinor, sikur ky i fundit, janë rezultat i mos reagimit institucional. Kosova në legjislacionin e saj e ka të paraparë që ushtruesit e dhunës të ndjekin programe rehabilituese si dhe t’u vendosen paisjet (byzylyket elektronik) të cilat monitorojnë lëvizjen e tyre, me qëllim të mbrojtes së viktimave dhe të parandalimit të recidivizmit. Fatkeqësisht, deri më tani, Ministria e Punëve të Brendshme ka dështuar ta finalizoj këtë proces, e ushtruesit e dhunës sillen të lirë pa ndonjë monitorim nga policia e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Tutje, thuhet se institucionet e Kosovës duhet të marrin masa urgjente për të siguruar mbrojtjen e viktimave dhe ndjekjen penale të autorëve të dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe dhunës me bazë gjinore, duke e siguruar një zbatim serioz të Konventës së Stambollit. Prokurorët në bashkëpunim me policinë të kryejnë vlerësim të rrezikut si dhe bëshkëpunim më të mirë ndërinstitucional për menaxhimin sa më të mirë të rasteve nga policia dhe institucionet përkatëse./Telenews/

