Telenews

Rritje e kostos për transportin e energjisë së importuar nga KESCO për 907% në vitin 2024

Dështimi i bursës ALPEX dhe marrëveshjet e dyshimta mes KESCO-s dhe kompanive që merren me tregtim të energjisë, dyshohet se kanë rritur çmimet e importit të rrymës në nivele ‘astronomike’ në vitin 2024 —kosto të cilën KESCO ka kërkuar ta bart mbi “kurrizin” e konsumatorëve kosovarë.

Agon Sinanaj

Rrafsh 907 për qind më shtrenjtë i ka kushtuar Kosovës vetëm transporti i energjisë elektrike në vitin 2024 nga kompania kosovare për furnizim me energji elektrike – KESCO.

Kjo “anomali” e rrallë në historikun e blerjeve të energjisë elektrike nga KESCO, ku transporti i energjisë në raste rezulton shumëfish më i shtrenjtë se vetë blerja e rrymës, është konstatuar edhe në dokumentet publike që i’u kanë dorëzuar Zyrës së Rregulatorit të Energjisë (ZRrE).

Buletini Ekonomik për ta nxjerrë dallimin në çmim mes viteve 2023-2024 për kostot e transportit të energjisë, ka analizuar raportin e KESCO-s të dorëzuar në ZRrE për aplikim për të hyrat e lejuara maksimale dhe raportinkonsultativ të ZRrE-së, nga i cili doli propozimi për shtrenjtim të rrymës për 15 për qind.

Ajo që vërehet në raportin e KESCO-s, për herë të parë theksohen edhe kostot për transport të energjisë, ku i kërkohet ZRrE-së që të përfshihen në tarifat e reja të rrymës që janë në shqyrtim.

Sipas raportit të KESCO-s, gjatë vitit 2024, kostot e transportit të energjisë arritën 9.06 milionë euro, prej vetëm 0.9 milionë euro, sa ishin në vitin 2023.

“Në vitin 2024, KESCO për kapacitetet ndërkufitare ka paguar një çmim mesatar prej 30 €/Më, me një total prej 9.06 milion €, përderisa në vitin 2023 kemi paguar mesatarisht 5 €/Më me një total prej 0.9 milion €, prandaj është e domosdoshme gjatë përcaktimit të çmimit të importit të kalkulohen edhe kostot e pritshme për kapacitetet ndërkufitare”, thuhet në kërkesën e KESCO-s, drejtuar ZRrE-së.

KESCO përmend “kostot e transportit” të energjisë edhe në një rast tjetër në raport, kur flet për “çmimin mesatar të importit të energjisë elektrike për vitin 2025”.

“Parashikimet e FSHU-së për blerjet e energjisë elektrike nga importi sipas draft bilancit të energjisë elektrike për vitin 2025 janë 318 Gwh me një çmim mesatar të importit të parashikuar prej 158.12 €/Mwh, sipas parashikimeve të fundit në tregjet ndërkombëtare, përfshirë edhe kostot e kapaciteteve të nevojshme për sjelljen e energjisë elektrike në vend”, thuhet aty.

Dështimi kolosal i ALPEX-it —ZRrE dhe KESCO me “një fazë”

Kjo rritje për 907 për qind në kostot e transportit të energjisë me 2024, ka prodhuar dy shpjegime, njërin nga KESCO dhe tjetrin nga ZRrE. Të dyja elaborimet janë pothuajse në “linja të njëjta”.

Ritjet e kostove për transport të energjisë, KESCO ia atribuon “dështimit”, sipas tyre, të tregut të përbashkët të energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, përkatësisht  funksionalizimit të bursës mes Kosovës dhe Shqipërisë (ALPEX).

“Bursa Shqiptare e Energjisë – ALPEX, e cila është bërë operacionale në Shqipëri nga marsi i vitit 2023 dhe do të ndihmojë për një treg konkurrues në Shqipëri dhe Kosovë, për të gjetur energji elektrike me çmime më të favorshme,” thuhej në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë, kur u lansua me pompozitet projekti i bursës së përbashkët energjetike. Zyrtarisht bursa ALPEX është funksionalizuar në fillim të vitit 2024.

Por KESCO, një vit më vonë, në raportin për ZRrE-n, ankohet se, përveç që nuk pati këmbim të energjisë gjatë dimrit përmes kësaj burse, sipas tyre u bllokua edhe qasja e Kosovës në tregjet e jashtme përmes “autostradës energjetike” më Shqipërinë. Një tjetër faktor përmendet edhe bllokimi i linjave të transmisionit me Serbinë.

“Një ndër faktorët kryesorë që pengojnë shfrytëzimin e plotë të mundësive që ofron ALPEX është kërkesa për kolateral të lartë. Mungesa e mundësive të mjaftueshme për sigurimin e kredive në vlera të konsiderueshme, për shkak të kufizimeve në asetet që mund të përdoren si garanci, e bën të vështirë pjesëmarrjen aktive të FSHU-së në këtë bursë. Edhe kufizimi komercial i tregtimit në kufirin me Serbinë, kufizon aftësinë e FSHU-së për të diversifikuar burimet e furnizimit dhe për të siguruar energjinë elektrike me kushte më të favorshme, duke e bërë atë të varur nga importet vetëm përmes dy rrugëve të tjera ndërkufitare me kapacitete të kufizuara, si Maqedoninë e Veriut dhe Mali I Zi”.

Kosova disponon linja transmetimi me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, të cilat menaxhohen nga KOSTT-i për pjesën që i përket Kosovës.

Nga KOSTT-i nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me këto pretendime.

Ndërkaq, shpjegim të ngjashëm por në terma më përgjithësues jep edhe ZRrE në raportin konsultativ.

“Gjatë vitit 2024 kishte nje rritje të çmimeve në bursat evropiane të energjisë, në krahasim me parashikimet për stabilizim të çmimeve. Për më tepër, për shkak që shumica e vendeve të rajonit janë net-importuese, rrjetet ndërkufitare janë shpeshherë të ngarkuara. Kjo sjellë deri tek rritja e çmimeve për shfrytëzimin e linjave ndërkufitare për import tëenergjisë eltrike.

Ana tjetër e medaljes

KESCO është kompani e licencuar nga ZRrE për furnizim me energji elektrike për qytetarët e Kosovës. Në rastet kur ka mungesë të prodhimit nga termocentralet e KEK-ut sa është kërkesa, KESCO blen energji elektrike jashtë vendit, përmes bursave ndërkombëtare. Rrymën, KESCO e blen direkt duke ofertuar përmes shpalljes se ankandeve në bursa, ose përmes negociatave me kompani tjera që merren me tregtim të energjisë.

Zakonisht në rastet kur KESCO blen energji me “ndërmjetësues”, pra përmes një kompanie tjetër që është e regjistruar në bursë, atëherë rriten kostot e importit, sidomos kostot për transport të energjisë. Kushti i vetëm është që kompania me të cilën bashkëpunon KESCO duhet të këtë licencë edhe nga ZRrE. Të licencuara në Kosovë për tregtim me energji elektrike janë rreth 20 kompani.

Buletini Ekonomik mëson nga burime të sigurta se ky ishte rastin me importet gjatë vitit 2024. Rryma është importuar kryesisht përmes Malit të Zi, përmes kompanive të licencuara nga ZRre, të cilat i kanë rritur kostot e transportit, përtej çdo parashikimi.

Këto burime thonë se ka dyshime për marrëveshje të pafavorshme mes KESCO-s dhe kompanive të caktuara, me “qëllimin e vetëm për t’i rritur fitimet”.

Buletini Ekonomik ka kërkuar nga ZRrE emrat e të gjitha kompanive me të cilat ka bashkëpunuar KESCO gjatë vitit 2024, për blerje të energjisë elektrikë në bursa, por deri në këtë moment, nuk kanë kthyer përgjigje. Njëjtë, përgjigje nuk kanë dhënë as nga KESCO.

“Blerjet e energjisë elektrike” nuk monitorohen nga ZRrE

Një aspekt tjetër i dyshimtë është mungesa e monitorimit të blerjeve të energjisë elektrike nga ZRrE. Rreth 20 kompani sa merren me tregtim të energjisë elektrike me licencë prej ZRrE-së, nuk monitorohen në rastet kur bëjnë marrëveshje të pafavorshme me njëra-tjetrën, me qëllim të fitimeve enorme në “kurriz” të konsumatorëve.

Raporti i fundit i monitorimit të blerjeve të energjisë, i publikuar në uebsajtin e ZRrE-së është i vitit 2021. Buletini Ekonomik përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka kërkuar nga ZRrE raportet e ngjashme edhe për vitet 2022, 2023, dhe 2024.

Mirëpo, në një përgjigje me shkrim, nga ZRrE thonë se raporti që përfshin vitin 2021 është i fundit, pasi sipas tyre ZRrE monitoron vetëm në rastet kur ka dyshime.

Kanë përmendur se disa hetime “janë në proces”, por pa specifikuar rastet.

“Për sa i përket monitorimeve dhe hetimeve që janë në proces, ato do të publikohen vetëm pas përfundimit të procesit dhe miratimit nga Bordi i ZRRE-së”.

Monitorim nuk është kryer as sa i përket investimeve kapitale të KEDS-it. Raporti i fundit për këtë, i publikuar në uebsajtin e  ZRrE-së, është i vitit 2018.

Lidhur me këto dyshime tashmë ka edhe reagim zyrtar. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli pas artikujve të publikuar në Buletin, ka ftuar në një takim urgjent drejtuesit e ZRrE-së.

Në njoftimin për media, thuhet se ministrja Rizvanolli ka kërkuar sqarime nga drejtuesit e ZRrE-së sepcifikisht për çështjen e kostove të bartjes së energjisë elektrike përmes linjave ndërkombëtare, që në raste e tejkalon shumëfish çmimin importit të rrymës.

“Ministrja kërkoi informata shtesë mbi disa prej faktorëve që kanë çuar tek rritja e kostos së furnizimit, si p.sh., çmimi i kapaciteteve të transmisionit, dhe kërkoi që këto çështje të trajtohen ne detaje nga ZRrE dhe nëse konstatohet që disa nga kostot kanë qenë të evitueshme, ato të mos barten tek konsumatorët por mbahen përgjegjës operatorët”, thuhet në njoftim.

Nuk dihet nëse kjo kërkesë do ta prolongoj afatin e vendosur nga ZRrE për të vendosur lidhur me propozimin për shtrenjtim të rrymës 15 për qind, kur dihet fakti se tashmë ka dyshim të bazuar për keqpërdorimet e mundshme në tregtimin e energjisë elektrike përgjatë viteve të kaluara koston e së cilës mund ta bartin kosnumatorët.

Buletini Ekonomik

Të ngajshme

Haxhiu për qëndrimet e opozitës: Absurde, ata e dinë që i kemi numrat

KushtrimGuraj

Abrashi i VV’së kritika Presidentes: Foli me termat e një autoriteti të Kushtetutës, por s’dha zgjidhje për problemin

KushtrimGuraj

Avdyli konfirmon marrëveshjen me Nismën

KushtrimGuraj