Ish-Ministri i Energjisë dhe Minierave dhe ministër në disa Qeveri të Kosovës Prof. Dr, Et’hem Çeku ka reaguar pas ngritjes së çmimit të Energjisë Elektrike në Kosovë me 16%, nga ana e ZRRE-së.
Ish-Ministri Çeku, vlerëson se mosndërtimi i termocentralit “Kosova C” ka lënë Kosovën në një pozitë të dobët në raport me nevojat energjetike, me zhvillimin ekonomik dhe me sigurinë strategjike.
‘Zyra e Rregullatorit për Energji miratoi një rritje prej 16% të tarifave të energjisë për konsumatorët familjarë, vendim që reflekton mungesën e kapaciteteve prodhuese vendore dhe varësinë e theksuar nga importi. Gjatë stinës së dimrit, mbi 30% e energjisë elektrike në Kosovë mbulohet nga importi, shpeshherë me çmime të paqëndrueshme dhe të larta.
Kjo situatë ka krijuar presion të drejtpërdrejtë për buxhetet familjare dhe ka dëmtuar rëndë konkurrueshmërinë e sektorit privat. Rritja e çmimeve po prodhon një valë të re të varfërisë energjetike, e cila prek më së shumti familjet me të ardhura të ulëta dhe komunitetet rurale. Mosfunksionimi i një strategjie energjetike të qëndrueshme ka kufizuar mundësinë për tërheqjen e investimeve të jashtme dhe për ndërtimin e një baze industriale. Ndërkohë, termocentralet ekzistuese, sidomos “Kosova A”, janë ndër ndotësit më të mëdhenj në Ballkan, duke përkeqësuar cilësinë e ajrit dhe shëndetin publik.’-deklaroi në ‘RADIO 1’, ish-ministri Et’hem Çeku.
Çeku merr shembujt krahasues me vendet tjera të rajonit dhe globit në raport me pozitën dhe situatën energjetike që do ta kishte Kosova, me Termocentralin ‘Kosova C’.
‘Termocentrali “Kosova C”, i planifikuar për të përdorur teknologji më të pastra dhe më efikase, do të mund të kishte sjellë një kthesë të madhe, por mungesa e vullnetit politik dhe vendimmarrjes strategjike e la vendin në gjendje të thellë varësie. Krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë, Kosova ka mbetur prapa. Maqedonia e Veriut ka planifikuar mbi 3 miliardë euro investime në energji të ripërtëritshme deri në vitin 2030. Shqipëria ka ndërtuar kapacitete fotovoltaike të mëdha në Karavasta dhe Spitallë, ndërsa Serbia po investon me ritëm të shpejtë në energjinë e erës dhe diellit, krahas modernizimit të rrjetit shpërndarës. Për të dalë nga ky ngërç, Kosova duhet të eksplorojë modele të reja zhvillimi që përfshijnë qytetarët si partnerë të drejtpërdrejtë. Në shumë shtete të zhvilluara, qytetarët janë bërë aksionarë në projekte të energjisë. Në Gjermani, mbi 40% e energjisë së ripërtëritshme është në pronësi të koperativave qytetare. Në Danimarkë, një pjesë e madhe e turbinave të erës janë ndërtuar me kapital nga komunitetet lokale. Në Francë, platformat digjitale të investimeve kolektive kanë mundësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në projekte energjetike me investime të vogla. Edhe në SHBA, shtete si Kolorado, Minesota dhe Kalifornia kanë krijuar programe për të lejuar qytetarët të investojnë në “community solar projects” dhe të përfitojnë nga të ardhurat e tyre.’-shton ai.
Ish-Ministri Energjetikës dhe Minierave, një prej promotorëve të shtytjes së projektit ‘Kosova C’ në kohën e tij, jep edhe shembullin se si mund të lëvizet në drejtimin pozitiv në zgjidhjen e problemeve energjetike në vend.
‘Kosova mund të ndërtojë një model të ngjashëm, krijimin e një Fondi Energjetik Qytetar, ku qytetarët dhe diaspora mund të investojnë në kapacitete të reja energjetike dhe të bëhen aksionarë. Ky fond mund të ofrojë aksione të vogla me kthim vjetor nga të hyrat e prodhimit, duke ndërtuar një ndjenjë të re të pronësisë kolektive dhe përgjegjësisë për zhvillimin e vendit. Diaspora shqiptare, me potencial të jashtëzakonshëm financiar dhe emocional, mund të jetë partner i rëndësisë së veçantë në këtë nismë, duke lidhur kapitalin me nevojat strategjike të shtetit. Rritja e sotme e tarifave është një sinjal alarmi që duhet të nxisë veprim konkret. Kosova ka nevojë për një kthesë strategjike në sektorin energjetik, jo vetëm për të ndërtuar termocentrale të reja a burime alternative, por për ta bërë energjinë pronë të përbashkët të qytetarëve të saj. Vetëm kështu mund të ndërtohet një e ardhme e sigurt, e pastër dhe ekonomisht e qëndrueshme.’-tha tutje Prof.Dr.Ethem Çeku.
Ndryshe, Et’hem Çeku, njihet edhe si themelues i Ministrisë së Energjisë dhe Minierave me të cilën ka menaxhuar në kohërat më të rënda të mungesës së furnizimit në Kosovë, (vitet 2003 – 2006), thotë se Kosova ka nevojë për një vizion të qartë, me një strategji të qartë dhe afatgjatë që përfshin investime të reja, qoftë edhe nga investimet e drejtpërdrejta nga buxheti për ta rritur sigurinë e furnizimit mbi burimet vendore.
Çeku vazdhon ta quaj gabim të pafalshëm mos ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova C”, ndonëse do të kishin kontribuar në zëvendësimin e kapaciteteve të vjetra dhe uljen e ndotjes së mjedisit dhe do të ofronte siguri në furnizim, stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik për vendin.
Et’hem Çeku njihet si një nga ministrat më të fuqishëm të qeverisjeve LDK – AAK dhe LDK-PDK-AAK, i caktuar dhe emëruar nga Ramush Haradinaj në periudhat e rënda për Kosovën e pasluftës, si një nga militantët partiak dhe të UÇK-së nga rajoni i dukagjinit, që po vinte në Prishtinë në kohën e reformave të rëndësishme që çonin drejt statusit final të Kosovës.
Si ministër, përcolli kryeministrat Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi, Agim Çeku e Bajram Rexhepi.