Telenews

Rritmi ynë i gjumit dhe zgjimit ndryshon në errësirë të plotë

Eksperimentet në errësirë tregojnë se ora e brendshme e njeriut nuk ndalet kurrë, por mund të humbasë sinkronizimin me kohën reale

Imagjinoni të zgjoheni një ditë dhe të mos dini më nëse jashtë ka lindur dielli apo ka rënë nata. Pa orë, pa kalendar, pa dritare nga ku do të hynte një rreze drite. Vetëm ju dhe errësira, pa ndërprerje. Si do të reagonte trupi juaj? A do të vazhdonte ora e brendshme të punonte në ritmin 24-orësh apo do të përshtatej gradualisht me një model të ri dhe të çuditshëm kohe?

Shkencëtarët i janë përkushtuar këtij misteri dhe eksperimentet e tyre kanë treguar se njeriu është shumë më kompleks sesa duket në pamje të parë – sepse në errësirë të plotë, koha bëhet relative, ndërsa bioritmi ynë fillon të ndjekë një lojë të vetën.

“Miushi” i parë i eksperimentit

Modelin e “ngadalësimit të kohës” e ka raportuar për herë të parë Mauricio Montalbini, sociolog dhe speleolog. Në vitin 1993, ai kaloi 366 ditë në një shpellë pranë qytetit Pesaro, në Itali, e ndërtuar në bashkëpunim me NASA-n për të simuluar misionet hapësinore. Kur doli nga shpella, ai ishte i bindur se kishte kaluar vetëm 219 ditë.

Cikli i tij i gjumit dhe zgjimit pothuajse ishte dyfishuar. Studime të mëvonshme treguan se, në errësirë, shumica e njerëzve me kohë përshtaten me një ritëm 48-orësh: rreth 36 orë aktivitet, të ndjekura nga 12 orë gjumë. Pse ndodh kjo, mbetet ende e paqartë, transmeton Telegrafi.

Ora e brendshme

Normalisht, bioritmi njerëzor është i lidhur me ciklin natyror të ditës dhe natës prej rreth 24 orësh. Por çfarë ndodh kur njeriu izolohet plotësisht nga drita dhe shenjat e jashtme të kohës, duke u përballur me një “ditë” të zgjatur prej 48 orësh? A përshtatet organizmi apo ndodhin çrregullime me pasoja për shëndetin?

 

Nga shpella drejt hapësirës

Kjo pyetje ka intriguar shumë studiues, mes tyre edhe speleologu francez Michel Siffre. Në vitin 1962, ai kaloi dy muaj në një shpellë pa orë, pa kalendar dhe pa kontakt me botën e jashtme. Ai vetë caktonte ritmin e gjumit dhe zgjimit dhe regjistronte ndryshimet fizike e mendore.

Qëllimi i tij ishte të kuptonte nëse njeriu ka një “orë të brendshme” që rregullon bioritmin, pavarësisht nga ndikimet e jashtme. Rezultatet ishin befasuese: bioritmi i tij mbeti rreth 24 orë, por perceptimi i kohës u çrregullua. Ai besonte se kishte kaluar vetëm një muaj, jo dy. Parametrat e trupit të tij, temperatura, tensioni i gjakut, pulsi dhe hormonet, luhateshin sipas orës së brendshme, jo sipas kohës reale.

Siffre përfundoi se njeriu ka një mekanizëm të lindur që ruan bioritmin edhe në izolim të plotë.

Roli i dritës dhe hormoneve

Studime të mëvonshme kanë vërtetuar ekzistencën e ritmit cirkadian, të përcaktuar nga gjenet, por i ndikuar fort nga drita.

▪ Në prani të dritës, truri lëshon kortizol, hormon që na mban zgjuar e aktiv.
▪ Në errësirë, prodhohet melatonina, hormoni i gjumit që relakson trupin.

Këto hormone janë thelbësore për sinkronizimin e orës së brendshme me kohën e jashtme. Kur njeriu izolohet nga drita, sinkronizimi prishet, duke shkaktuar pagjumësi, luhatje humori, rënie të përqendrimit e kujtesës, dobësim të imunitetit dhe rritje të rrezikut nga depresioni, ankthi, diabeti dhe sëmundjet e zemrës.

Prandaj është jetike të ruajmë një ritëm të rregullt gjumi e zgjimi, të ekspozohemi ndaj dritës ditore dhe të qëndrojmë në errësirë gjatë natës. Kjo e mban bioritmin stabil dhe organizmin në funksion optimal.

Të ngajshme

Kravatat pengojnë qarkullimin e gjakut në tru

Erzana Fazliu

Rritet numri i turistëve në Kosovë gjatë korrikut

KushtrimGuraj

Një 80-vjeçare u mashtrua në internet nga një astronaut i rremë që pretendonte se kishte ngecur në hapësirë

KushtrimGuraj