Rusia ka reaguar pas njoftimit të Gjermanisë se do të mbështesë Ukrainën në prodhimin e raketave me rreze të gjatë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se veprimi i Berlinit tregon se ai tashmë është pjesëmarrës në luftë, shkruan skynews.
Lavrov deklaroi se vendimet e Berlinit po “rrisin tensionin”, duke shtuar se shpreson që “politikanët përgjegjës” në Gjermani “do të nxjerrin përfundimin e duhur” dhe “do të ndalojnë çmendurinë”.
Gjermania ka njoftuar se do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën me një paketë ndihme me vlerë rreth pesë miliardë euro, në një përpjekje për të përforcuar kapacitetet mbrojtëse të vendit ndaj agresionit rus.
Njoftimi erdhi ndërsa kancelari gjerman, Friedrich Merz, priti në Berlin presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për bisedime dypalëshe që kishin në fokus situatën e sigurisë në Ukrainë dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Rusia filloi këtë luftë në shkurt të vitit 2022 kur nisi një pushtim të plotë të Ukrainës, pavarësisht insistimit të përsëritur se nuk kishte plane për ta bërë një gjë të tillë.