Disa gjëra janë shumë të e këndshme gjatë stinës së vjeshtës – si ndezja e një qiriu që mbush ajrin me aromën e kungullit, kanellës ose mollës.
Por, përveç hijeshisë sezonale, qirinjtë mund të kenë një efekt qetësues dhe madje të përmirësojnë gjendjen shpirtërore, siç ka deklaruar për revistën Health, Dr. Amy Brown nga Universiteti i New York-ut.
Dr. Brown shpjegon se shumë njerëz përfshijnë qirinjtë në rutinat e tyre të mirëqenies, dhe aftësia e tyre për të reduktuar stresin mund të lehtësojë edhe probleme të tjera të lidhura me të, siç janë dhimbjet e kokës ose të trupit.
Megjithatë, ekziston një anë e mundshme negative e qirinjve aromatikë – ata lëshojnë grimca dhe ndotës në ajër.
Sa të dëmshme janë këto kimikate dhe çfarë efekti mund të kenë mbi shëndetin tuaj?
Pse qirinjtë aromatikë mund të jenë të dëmshëm për shëndetin?
Qirinjtë aromatikë mund të lëshojnë përbërje organike të paqëndrueshme (VOC), si benzidina, acetaldehidi dhe formaldehidi, të cilat janë të lidhura me kancerin, sipas Dr. Jennifer Dunphy, autore e Udhëzuesit për Toksinat për Familjet.
Përveç kësaj, qirinjtë e bërë nga parafina – një dyllë i bazuar në naftë – mund të lëshojnë toluen, një VOC që mund të shkaktojë marramendje dhe irritim.
Pavarësisht këtyre shqetësimeve, Dr. Brown thekson se nivelet e VOC-ve të lëshuara nga qirinjtë janë shumë më të ulëta sesa ato nga burime të tjera, si tymi i duhanit, bojërat ose materialet e ndërtimit. Edhe pse ndezja e qirinjve krijon ndotje të ajrit të brendshëm, avujt dhe gazrat që çlirohen zakonisht janë në nivele të ulëta, gjë që nuk ka gjasa të shkaktojë rreziqe të mëdha për shëndetin.
Megjithatë, Dr. Dunphy thekson rëndësinë e marrjes parasysh të shpeshtësisë së ekspozimit ndaj këtyre kimikateve. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj VOC-ve nuk është ideal, veçanërisht për personat me astmë, alergji ose ndjeshmëri të lartë ndaj ndotësve të mjedisit.
Fëmijët në veçanti mund të jenë më të ndjeshëm ndaj thithjes së niveleve më të larta të këtyre ndotësve për shkak të sistemeve të tyre të veçanta respiratore.
A ekzistojnë alternativa më të shëndetshme për qirinjtë aromatikë?
Për ata që ende kënaqen me qirinjtë, por duan të reduktojnë ekspozimin ndaj kimikateve të dëmshme, ekzistojnë alternativa më të sigurta. Dr. Dunphy sugjeron zgjedhjen e qirinjve të bërë nga materiale natyrale, si dylli i sojës ose dylli i bletës, të cilët digjen më ngadalë, prodhojnë më pak blozë dhe nuk lëshojnë parafinë.
Ajo gjithashtu rekomandon shmangien e aromave sintetike dhe qirinjve të ngjyrosur, të cilët mund të lëshojnë toksina shtesë.
Si alternativë, ngrohëset e dyllit mund të reduktojnë djegien, por ende është e rëndësishme të zgjidhen dyllë dhe aroma natyrale. Qirinjtë me aromë të fortë duhet të shmangen përveç nëse ndizen në hapësira të mëdha dhe të ajrosura mirë.
Për ata që kërkojnë një opsion pa qirinj, Dr. Dunphy sugjeron zierjen e bimëve aromatike, frutave dhe erëzave si një mënyrë natyrale dhe e sigurt për të përhapur aroma në shtëpi.