Telenews

Sanksionet britanike, arrestohen shtatë persona të rrjetit “Krasniqi”

Shtatë anëtarë të rrjetit “Krasniqi”, të dyshuar për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim të kalimit ilegal të migrantëve nëpër Evropë, janë arrestuar ose janë dorëzuar te autoritetet e Kosovës. Sipas autoriteteve britanike, veprimet e përbashkëta të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë kontribuar në shkatërrimin e rrjetit kriminal.

Rrjeti “Krasniqi”, me bazë në Ballkanin Perëndimor, dyshohet se kishte zhvilluar një operacion të sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve. Sipas njoftimit britanik, grupi prodhonte dokumente identifikimi, pasaporta dhe patentë-shoferë të falsifikuara.

Këto dokumente dyshohet se u mundësonin migrantëve që kalonin ilegalisht dhe trafikantëve të qenieve njerëzore të paraqiteshin në mënyrë të rreme si shtetas të më shumë se 50 shteteve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.

Në tetor të vitit të kaluar, pas veprimeve të para të autoriteteve të Kosovës ndaj tre anëtarëve të grupit, Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione të synuara ndaj disa prej anëtarëve kryesorë të rrjetit.

Sipas autoriteteve britanike, në muajt pasues, nën presionin e autoriteteve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, shtatë nga nëntë anëtarët e njohur të rrjetit janë arrestuar ose janë dorëzuar te autoritetet kosovare. I fundit prej tyre është dorëzuar në maj të këtij viti.

Shtatë të arrestuarit sipas autoriteteve britanike janë: Flamur Krasniqi, i cili dyshohet se i janë gjetur në posedim dokumente të falsifikuara; Valon Krasniqin, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; Arif Krasniqin, i cili pretendohet se ka shërbyer si ndërmjetës i grupit, duke siguruar klientë për shërbimet e tyre.

Në mesin e tyre janë edhe Nexhmije Selmani, e akuzuar se ka ofruar objekte që janë përdorur nga grupi për falsifikimin e dokumenteve; Shkembim Ermellahu, i cili dyshohet se është gjetur në posedim të dokumenteve të falsifikuara; Sami Duriqi, i akuzuar se ka qenë i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; dhe Granit Avdyli, i cili thuhet se ka qenë i përfshirë në prodhimin e dokumenteve dhe në reklamimin e shërbimeve të grupit.

Autoritetet kosovare vlerësojnë se sanksionet britanike kanë pasur ndikim të rëndësishëm në vendimin e disa prej të dyshuarve për t’u dorëzuar në polici. Të gjithë të dyshuarit ishin në kërkim përmes urdhërarresteve vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa disa prej tyre janë dorëzuar vetëm pasi Mbretëria e Bashkuar i kishte futur në listën e sanksioneve.

Ministri britanik për Evropën, Stewart Wood, tha se anëtarët e rrjetit besonin se mund të vepronin në fshehtësi dhe të përfitonin nga dëshpërimi i personave të cenueshëm.

“Do të përballen me drejtësinë për veprimet e tyre”, tha Wood, duke vlerësuar bashkëpunimin me Kosovën në luftën kundër krimit të organizuar dhe migrimit të paligjshëm.

Ai shtoi se Mbretëria e Bashkuar, së bashku me partnerët në rajon, do të vazhdojë të ndërmarrë masa për zbulimin dhe goditjen e grupeve kriminale që merren me trafikimin e migrantëve.

Për operacionin ka reaguar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.

Ai tha se rezultati tregon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përpjekjeve të përbashkëta ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve britanike në luftën kundër krimit të organizuar që lidhet me migrimin.

Sipas Isufajt, bashkëpunimi ndërkombëtar është një nga mënyrat më efektive për të luftuar rrjetet kriminale që veprojnë përtej kufijve.

Autoritetet britanike kanë theksuar se në vitin 2023, rreth 26 për qind e të gjitha kalimeve të parregullta të kufirit në Bashkimin Evropian janë regjistruar përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor.

Sipas të dhënave të Frontex-it, zbulimet e kalimeve të parregullta të kufirit përmes kësaj rruge kanë rënë për 87 për qind në vitin 2025, krahasuar me vitin 2023.

Mbretëria e Bashkuar thotë se gjatë vitit të kaluar ka rritur mbështetjen për programet që synojnë luftimin e trafikimit të migrantëve në rajon, përfshirë Kosovën.

Bashkëpunimi përfshin mentorim për prokurorë, gjyqtarë dhe zyrtarë policorë kosovarë, si dhe mbështetje për ekipet e përbashkëta hetimore, të cilat bashkojnë institucionet e zbatimit të ligjit për hetimin e rasteve dhe rrisin bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Mbretëria e Bashkuar përdor edhe regjimin e sanksioneve për migrimin e parregullt, përmes të cilit synon individët e përfshirë në krimin e organizuar të migrimit. Përveç ngrirjes së pasurive dhe ndalimit të udhëtimit, publikimi i identiteteve të personave të sanksionuar synon t’ua vështirësojë atyre veprimtarinë dhe bashkëpunimin me rrjete të tjera të trafikimit të migrantëve.

Të ngajshme

Çifti në bregdet, kështu po e feston Gimbo sot ditëlindjen

Yllka Gashi

Një muaj paraburgim për 2 të dyshuarit që tentuan vrasjen e një personi në Ferizaj

Yllka Gashi

Musliu denoncon në IPK policin që thotë se e sulmoi fizikisht në Kuvend

Yllka Gashi