Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.
Dhunë përjetoi edhe një grua në fshatin Damjan të Gjakovës, e cila kërkoi ndihmën e Policisë.
Burimet e Gazetës brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 61-vjeçarja ka raportuar se nipi i saj 14-vjeçar e ka sulmuar fizikisht.
Bazuar në dëshminë e viktimës, e gjithë kjo ka ndodhur pas kërkesës së nipit që ta marrë me vete për vizitë te vajza e saj, respektivisht halla e të miturit.
Si pasojë e kësaj, viktima ka marrë ndihmë mjekësore, ndërsa i mituri është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar në prezencën e avokatit dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’./Telenews/