Imri Ahmeti, sekretar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se çdo person që ka ambicie për ta shpallur kandidaturën për kryetar të LDK-së duhet t’i nënshtrohet procedurave të partisë.
Këto procedura bazën e kanë te statuti i partisë, ku delegatët e kanë autoritetin për kandidaturat.
Lidhja Demokratike e Kosovës pritet ta mbajë Kuvendin Zgjedhor më 19 nëntor.
Kandidaturën e ka paralajmëruar Faton Bislimi, ish-anëtar i Kryesisë së LDK-së, i cili përmes një postimi në Facebook ka shprehur hapur synimim për ta marrë drejtimin e partisë më të vjetër në Kosovë.
Por Ahmeti thotë se “Bislimi nuk është delegat”, megjithatë ai ka deklaruar se “kandidaturat janë të mirëseardhura”.
”Proceduralisht çdokush mundet me publiku kandidaturën e tij, por sipas rregullave statutare zyrtarisht vetëm gjatë punimeve në Kuvend mund të kandidohet kushdo qoftë. Kuvendi zgjedh komisionin kandidues dhe përveç komisionit kandidues kushdo që kandidon, delegatët e kuvendit janë autoritet sipas statutit. Te tjerat kandidatura që mund të bëhen publike nëpër rrjetet sociale natyrisht nuk janë të ndaluara, por nuk janë zyrtare”, ka thënë ai, duke thënë se zyrtarizimi ndodh vetëm gjatë punimeve.
Ai potencon që asnjë kandidaturë nuk mund të zyrtarizohet pa kaluar brenda procedurave të brendshme.
”Nuk mund të zyrtarizohet asnjë kandidaturë jashtë procedurave, në fakt duhesh të jesh delegat në rend të parë, me sa e di Fatoni as delegat nuk është sepse kohë më parë ka dhënë dorëheqje si anëtar kryesie. Ideja e tij për të kandidu është e mirëpritur, por duhet t’i nënshtrohet procedurave”, ka thënë ai.
LDK-ja është parti opozitare që drejtohet nga Lumir Abdixhiku i cili pozitën e kryetarit e mori në vitin 2021, në një kuvend të jashtëzakonshëm zgjedhor pas dorëheqjes së Isa Mustafës. Abdixhiku ka publikuar programin “Rruga e Re”, me të cilin synon primatin në skenën politike. /Telenews.al/