Telenews

Sekuestrohen armë e municion në Pejë, Istog e Junik, tre persona arrestohen pas të shtënave në ahengje

Tre raste të përdorimit të armëve janë evidentuar gjatë fundjavës në rajonin e Pejës, ku Policia ka sekuestruar tri armë zjarri, karikatorë dhe municion. Në të tri rastet, personat e dyshuar janë arrestuar dhe më pas, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë liruar në procedurë të rregullt.

Rasti i parë është regjistruar më 8 gusht, rreth orës 22:10, në fshatin Strellc të Deçanit, pas raportimit për të shtëna me armë gjatë një ahengu. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar një armë zjarri, një karikator dhe tri gëzhoja.

I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit nga hetuesit, është liruar në procedurë të rregullt me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Një tjetër rast është shënuar në Istog, po më 8 gusht, rreth orës 23:25. Derisa zyrtarët policorë po merreshin me një rast tjetër të shkaktuar nga i dyshuari, gjatë kontrollit në çantën e tij janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një karikator dhe katër fishekë.

Edhe në këtë rast, personi i dyshuar është arrestuar dhe pas intervistimit është liruar me urdhër të prokurorit.

Ndërkohë, më 9 gusht, rreth orës 16:20, Policia është njoftuar për të shtëna me armë në lagjen Goçaj të Junikut.

Pas intervenimit, zyrtarët policorë kanë arrestuar të dyshuarin, ndërsa gjatë kontrollit tek ai është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një karikator dhe dy fishekë të së njëjtës armë.

Edhe i dyshuari në Junik, pas intervistimit nga hetuesit, është liruar në procedurë të rregullt me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka apeluar te qytetarët që gjatë organizimit të ahengjeve dhe festimeve të përmbahen nga përdorimi i armëve, duke paralajmëruar masa ndaj të gjithë personave që përdorin armë në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.

Të ngajshme

Pushime të paharrueshme në Adriatik: 5 ditë All Inclusive për 520 euro

Rrezarta Ramaj

Alarmohet Barcelona, lojtari i saj mund të jetë 6 muaj jashtë fushave

Yllka Gashi

Visar Berisha bën hapin e madh në politikë: Zgjidhet në Këshillin e Qytetit të Thunit

Yllka Gashi