Policia e Kosovës ka arrestuar në Prizren dy persona të dyshuar dhe ka sekuestruar 10 kilogramë e 500 gramë substancë narkotike, që dyshohet të jetë marihuanë.
Në njoftimin bëhet e ditur se po ashtu është sekuestruar një armë zjarri kalibër 7.62 mm, me një karikator me 8 fishekë, dy automjete me targa vendore dhe tre telefona.
Sipas Policisë, operacioni ka vazhduar me kontrollimin e një shtëpie dhe një lokali, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi të tjera.
“Janë sekuestruar substancë narkotike, dyshohet të jetë e llojit marihuanë, me peshë 874 gram, katër fishekë, dy peshore elektronike, dy kuti me pajisje për pastrim të armëve, një foli plastike dhe të holla 3965 euro”, thuhet në njoftim.
Lidhur më rastin janë ndaluar dy të dyshuar: N.I., (viti i lindjes 1985, mashkull kosovar) dhe E.M., (viti i lindjes 2000, mashkull kosovar).
Po ashtu, policia ka informacione se i përfshirë në rast është edhe një i dyshuar tjetër, i njohur për policinë.
Të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve dhe me vendim me shkrim të prokurorit kujdestar, janë ndaluar për 48 orë.