Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka njoftuar se policia serbe ka ndaluar për ta marrë në pyetje infermieren shqiptare Linda Fetahu-Krivanjeva.
Sipas tij, ndalimi ka ndodhur derisa ajo me familjen e saj po kthehej nga Kosova drejt Luginës së Preshevës.
Infermierja është mbajtur për tri orë nga policia kufitare serbe dhe është marrë në pyetje nga zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
“Linda Fetahu-Krivanjeva, bija krenare e vendit tonë, infermierja që dikur u kujdes për ushtarët e lirisë dhe gjithmonë ka ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve të Luginës, u ndalua për tri orë në kufi nga policia serbe”, ka shkruar Lutfiu në Facebook.
Ai ka shtuar se kjo është një formë frikësimi dhe paralajmëron se ndalesa të tilla mund të vazhdojnë.
Për këtë ka reaguar edhe vetë infermierja Fetahu-Krivanjeva, e cila këtë ndalim e ka cilësuar si presion të vazhdueshëm.