Telenews

Serbia përballet me sfida energjetike nga SHBA-ja dhe Rusia

Vetëm brenda një jave, Serbia mori dy lajme që ngritën pyetje për sigurinë e saj energjetike: ndërsa Shtetet e Bashkuara filluan të zbatojnë sanksione ndaj Industrisë Serbe të Naftës (NIS) për shkak të pronësisë së saj ruse, Moska vendosi që marrëveshja e gazit me Beogradin të zgjatet vetëm deri në fund të vitit.

Kjo shkaktoi shqetësim – pavarësisht garancive nga autoritetet – nëse do të ketë sasi të mjaftueshme të energjisë për ngrohje.

E vetmja kompani në Serbi që merret me hulumtimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës, NIS, u vendos nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara që nga 9 tetori, për shkak të pronësisë së saj kryesisht ruse.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli edhe për një “lajm shumë zhgënjyes” që i mbërriti këtij vendi dy ditë më vonë: Rusia zgjati marrëveshjen e gazit me Serbinë deri në fund të vitit, dhe jo për tre vjet, siç prisnin autoritetet serbe.

Serbia varet nga gazi rus, dhe shumica e familjeve që përdorin ngrohjen qendrore në Serbi, e sigurojnë me gaz.

Ekonomisti Lubodrag Saviq thotë se nuk pritet ndalim i furnizimit me gaz për Serbinë, e as rritje e çmimit të tij.

“Kjo është një lëvizje taktike e Rusisë, një lloj presioni ndaj Serbisë me një mesazh të qartë: Ne jemi të hapur për bisedime, por nuk do të ketë nacionalizim të NIS-it”, shpjegon ai për Radion Evropa e Lirë.

Vuçiq tha më 11 tetor se zyrtarët amerikanë i kanë sugjeruar që Serbia ta nacionalizojë NIS-in për të shmangur sanksionet, por ai tha se e ka refuzuar këtë.

Pas një takimi me një delegacion rus lidhur me NIS-in, më 13 tetor, Vuçiq njoftoi në rrjetin social Instagram se nuk do të ketë asnjë mungesë të naftës apo produkteve të saj dhe asnjë krizë energjetike.

 

Të ngajshme

Gara për asamble, kush po prin në Mitrovicë?

Donat Hashani

Donald Tump, “kryezjarrfikësi” që po shuan zjarre, por që s’e vë re prushin në Kosovë

Donat Hashani

Dalin votat e kandidatëve për asamble të Fushë-Kosovës

Donat Hashani