Telenews

Serbia pritet ta varrosë me nderime shtetërore të dënuarin për gjenocid, Ratko Mlladiq

Arkivoli i Mlladiqit, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë, u ekspozua në Kishën e Shën Lukës në Beograd, 7 shtator 2026.

Arkivoli i Mlladiqit, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë, u ekspozua në Kishën e Shën Lukës në Beograd, 7 shtator 2026.

Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, i dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime të tjera të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, do të varroset sot në Beograd, me nderime të paralajmëruara ushtarake dhe shtetërore.

Arkivoli i Mlladiqit, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë, derisa vuante dënimin me burgim të përjetshëm, u ekspozua në Kishën e Shën Lukës.

Mediat serbe raportuan më herët se ceremoninë mortore do ta udhëheqë kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

Mijëra njerëz janë duke pritur në radhë para kishës për t’i bërë nderime, ndërsa disa prej tyre mbajnë bluza me portretin e kriminelit të dënuar të luftës dhe simbole të formacioneve ushtarake të kohës së luftës.

Pranë arkivolit janë duke bërë rojë me radhë veteranë të ish-Ushtrisë së Republikës Sërpska, ndërsa në kishë ndodhen edhe familjarë të Mlladiqit dhe ish-bashkëpunëtorë të tij të afërt.

Qytetarët në Beograd duke pritur në radhë për t'i bërë homazhe Mlladiqit, 7 shtator 2026.
Qytetarët në Beograd duke pritur në radhë për t’i bërë homazhe Mlladiqit, 7 shtator 2026.

Dënime nga BE-ja dhe SHBA-ja

Në varrimin e Mlladiqit nuk pritet të marrë pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë më herët se nuk mund të jetë i pranishëm, pasi presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, po qëndron për vizitë në Beograd.

Vuçiq ka thënë, gjithashtu, se ka “bërë gjithçka” që varrimi të zhvillohet në “mënyrë dinjitoze”, ndërsa ka hedhur poshtë kritikat e Bashkimit Evropian për organizimin e varrimit të Mlladiqit me nderime shtetërore.

Në mesin e zyrtarëve që i bënë homazhe Mlladiqit në kishën në Beograd, ishte ministri i Punës dhe Mbrojtjes së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës i Republikës Sërpska, Radan Ostojiq.

Në mesin e të pranishmëve është edhe anëtari i Senatit të Republikës Sërpska, Aleksandar Vulin, i sanksionuar nga Uashingtoni për lidhjet e tij me Rusinë.

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke thënë se madhërimi i një personi të dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë, është “i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat bazohet rruga drejt Bashkimit Evropian”.

Para varrimit reaguan edhe senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen, Chuck Grassley dhe Keith Self, duke u bërë thirrje autoriteteve në Republikën Sërpska dhe në Serbi që të distancohen nga varrimi i Mlladiqit.

Në deklaratën e përbashkët, senatorët rikujtuan përgjegjësinë e Mlladiqit për gjenocidin dhe krimet e tjera në Bosnje dhe Hercegovinë, duke thënë se ato përbëjnë disa prej krimeve më çnjerëzore të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Është shumë shqetësuese që Serbia ka njoftuar se Mlladiq do të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake. Ditët e ardhshme do të jenë një test nëse Serbia dhe Republika Sërpska janë të gatshme të shkëputen nga e kaluara dhe të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimeve euroatlantike”, thuhet në deklaratë.

Pankartë për Mlladiqin

Siç raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Beograd, para kishës ndodhen ekipe të shumta të mediave, të cilave nuk u është lejuar hyrja në hapësirën e rrethuar dhe në kishë.

Rrugët përreth janë mbyllur për qarkullim.

Përgjatë rrugës “Knez Visheslav”, pranë kishës, janë vendosur flamuj serbë, ndërsa në udhëkryqe janë të pranishëm pjesëtarë të policisë.

Në një mur pranë kishës është vendosur edhe një pankartë, ku Mlladiq cilësohet “hero serb”.

Beograd, 7 shtator 2026.
Beograd, 7 shtator 2026.

Homazhe për të janë organizuar edhe në pjesë të ndryshme të Republikës Sërpska dhe Serbisë në ditët pas vdekjes së tij.

Pranë kishës janë parkuar shumë autobusë me targa nga Serbia, Bosnje dhe Hercegovina dhe Mali i Zi.

Në orët e hershme të mëngjesit, katër autobusë me ish-pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Sërpska u nisën nga Banjalluka drejt Beogradit.

Transporti u organizua nga Organizata e Veteranëve të Luftës e Republikës Sërpska, e cila tubon veteranët e luftës nga ky entitet i Bosnje dhe Hercegovinës.

Nga Banjalluka drejt Beogradit u nisën rreth 240 persona.

Transport është organizuar edhe nga qytetet e tjera të mëdha të Republikës Sërpska, ndërsa gjithsej 55 autobusë pritet të sjellin pjesëmarrës në varrimin e Mlladiqit.

Mlladiq vdiq më 27 gusht në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm.

Ai ishte 84 vjeç.

Mlladiq do të varroset në Varrezat e Topçiderit në Beograd.

Kisha Ortodokse Serbe ka njoftuar se para varrimit do të mbahet ceremonia fetare e përcjelljes, ndërsa në njoftimin e saj, Mlladiqin e ka cilësuar si “të krishterë ortodoks dhe ushtar serb”.

Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, ka deklaruar më herët se Mlladiq do të varroset me nderimet më të larta shtetërore.

Në ditët pas vdekjes së tij, në disa qytete të Serbisë dhe të Republikës Sërpska janë mbajtur tubime në nderim të tij.

Tubimi më i madh u mbajt më 1 shtator në Banjallukë, ku morën pjesë mbi një mijë njerëz.

Në narrativin e disa mediave në Beograd dhe Banjallukë, Mlladiq është paraqitur si viktimë e Tribunalit të Hagës, i cili nuk e lejoi të shkonte për trajtim mjekësor në Serbi, ndërsa dënimi i tij dhe viktimat e krimeve për të cilat u shpall fajtor, u përmendën fare pak.

Homazhe për Mlladiqin u mbajtën përkundër faktit se Kodi Penal i Bosnje dhe Hercegovinës e ndalon mohimin ose justifikimin publik të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, të përcaktuara me vendime gjyqësore të formës së prerë, si dhe madhërimin e personave të dënuar përfundimisht për këto krime.

Ligji parasheh dënime me burgim, ndërsa për forma të caktuara të mohimit dënimi mund të shkojë deri në pesë vjet.

Të ngajshme

Trump sugjeron riemërtimin e New Mexico në “New America”

Yllka Gashi

Çfarë është testi PISA dhe si funksionon?

Yllka Gashi

Rasti i kapitenit Besart Ahmeti: Suspendohet një polic

Yllka Gashi