Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë disa këshilla për t’u mbrojtur nga kafshimet e gjarpërinjve.
Këta zvarranikë, sipas IKShPK-së, qëndrojnë në vende të thata dhe shkëmbore, pyje, në degë të druve, nën gurë, grumbuj të druve apo rrënoja të vjetra, pranë lumenjve, pusetave të ujit, liqeneve ose tokave bujqësore
IKShPK gjithashtu tha se nga muaji maj deri në shtator, sidomos në ditë të nxehta, ata rrinë gjatë të fshehur mirë duke pritur gjahun e tyre.
“Njeriu nuk është cak i kafshimit të gjarprit, por nëse shkelet pa dashje ose ngacmohet, atëherë gjarpri sulmon njeriun”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, për t’u mbrojtur nga kafshimi i tyre, Instituti rekomandon veshje të gjata dhe çizme kur ecni në natyrë. Gjithashtu rekomandon të përdorni shkop për të kontrolluar shkurret apo gurët para se të hidhni hapin.
IKShPK rekomandon shmangien e barit të lartë dhe rrugicat e papastruara. kërkon që të mbahen oborret dhe ambienti përreth shtëpisë i pastër – të hiqen gurët, grumbujt e druve dhe shkurret ku gjarpërinjtë mund të strehohen.
Po ashtu, kërkohet që të përdoret dritë dore gjatë natës në vende të errëta ose në natyrë.
IKShPK gjithashtu këshillon që mos afroheni dhe të mos përpiqeni t’i ngacmoni apo vrisni gjarpërinjtë.
“Mos fusni duart në vrima (në tokë apo në dru të gjatë), nën gurë apo në shkurre. Mos ecni zbathur në natyrë”.
Nëse kafshoheni nga ky zvarranik, IKShPK rekomandon: “Qëndroni të qetë dhe mos lëvizni shumë. Mbajeni gjymtyrën e kafshuar të palëvizshme dhe nën nivelin e zemrës. Thirrni urgjencën (194), policinë (192) ose shkoni menjëherë në qendrën më të afërt shëndetësore”.
“Mos e prekni apo preni vendin e kafshimit. Mos e thithni apo ndrydhni helmin nga vendi i kafshimit. Mos i vendosni rrip apo çfarëdo lloj lidhëse plagës së kafshimit”.
“Kujdes! Shumica e gjarpërinjve në Kosovë nuk janë helmues, por kafshimi nga NEPËRKAT (gjarprit më helmues në Evropë) mund të jetë i rrezikshëm pa trajtim”, u tha në njoftimin e IKShPK-së.