Para se t’i shihte me sy, praninë e Policisë në atë lokacion e kishte ditur më herët.
Kjo jo nga lëvizja e dritave të pjesëmarrësve tjerë në komunikacion por nga një aplikacion që po përdoret mjaftë shumë nga kosovarët.
Aty kushdo që sheh policinë në rrugë kryesore apo qytet i regjistron dhe pastaj dikush tjetër e di se ku ndodhën.
Pavarësisht kësaj, sipas ekspertit të komunikacionit, Nol Dedaj kjo nuk duhet të shihet vetëm në aspektin negativ, përkundrazi ka edhe efekt pozitiv.
“Kjo e luan rolin e sigurisë, nuk e luan rolin e kundër sigurisë për shkak se drejtuesit e veturave e kanë parasysh se ku gjenden Policia prandaj e drejtojnë automjetin në bazë të rregullave, brenda kushteve dhe shpejtësisë së kufizuar”, ka deklaruar Dedaj, raporton RTVDukagjini.
Ndryshe mendon njohësi i punës së Policisë, Valdet Hoxha.
Hoxha këtë e konsideron sfidë për Policinë e Kosovës, duke përmendur edhe numrin e lartë të aksidenteve të trafikut në vend.
“Në hapësirat e pambuluara nga njësitet e Policisë aty pa ndonjë frikë, mund ta tejkalojnë shpejtësinë prandaj edhe mund të vijnë aksidentet fatkeqësisht me fatalitet që janë jo të rralla në vendin tonë. Natyrisht kjo është sfidë për Policinë e Kosovës por Policia nuk duhet që ta lejoj që disa grupe të jenë në avantazh në aspektin teknologjik ndaj vet shtetit”, ka deklaruar Hoxha.
Një formë tjetër e lajmërimit të radarëve të Policisë së Kosovës që ka funksionuar për vite me radhë është edhe një grup në rrjetin social “Viber” ku qytetarët njoftonin për vendndodhjen e tyre.