
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, gjatë qëndrimit në Paris ka zhvilluar takim me senatorët francezë Thierry Meignen dhe Francis Szpiner, me të cilët ka diskutuar për forcimin e marrëdhënieve Kosovë–Francë dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik.
Sipas AKB-së, takimi u zhvillua në frymën e rritjes së besimit dhe të investimeve franceze në Kosovë, forcimit të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve, promovimit të potencialeve ekonomike të Kosovës dhe krijimit të partneriteteve të reja me kompanitë franceze.
Shahini ka vlerësuar se Franca është një partner strategjik dhe i rëndësishëm evropian për Kosovën, duke theksuar se marrëdhëniet politike duhet të shoqërohen me bashkëpunim konkret ekonomik dhe investime të qëndrueshme.
“Kosova ka nevojë për më shumë miq, por mbi të gjitha për partneritete konkrete. Investimet franceze në Kosovë do të ishin një sinjal i fuqishëm i besimit në ekonominë dhe të ardhmen e vendit tonë. Ne duhet të krijojmë ura të reja mes bizneseve kosovare dhe atyre franceze”, deklaroi Shahini.
AKB-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për ndërkombëtarizimin e bizneseve kosovare, tërheqjen e investimeve të huaja dhe promovimin e Kosovës si destinacion për investime dhe partneritete në Ballkanin Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian.

