Telenews

ShBA nuk lëshon komandën e NATO-s

financat-e-ushtrise-amerikane,-trump-thote-se-nuk-do-te-preke-asnje-cent-nga-buxheti-nje-trilion-dollaresh

Përderisa SHBA vazhdon të kërkojë që aleatët europianë të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, tre zyrtarë amerikanë, një perëndimor dhe një burim nga NATO kanë thënë se presidenti amerikan Donald Trump do të vazhdojë të ruajë traditën e emërimit të një gjenerali amerikan në krye të NATO-s, të paktën për momentin.

Sipas një raportimi të Reuters, bazuar në burime, presidenti Trump ia ka komunikuar vendimin personalisht Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ndërsa, zyrtarët kanë thënë se emri më i përfolur për t’u emëruar si komandant i ri suprem i NATO-s në Europë (SACEUR) dhe njëkohësisht komandant i Komandës Evropiane të SHBA-së (EUCOM) është gjenerali i Forcave Ajrore, Alexus Grynkewich.

Kujtojmë se pozicioni i SACEUR, i cili mbikëqyr të gjitha operacionet e NATO-s në Europë, është mbajtur gjithmonë nga një gjeneral amerikan që nga krijimi i alencës pas Luftës së Dytë Botërore.

E edhe pse ende nuk ka pasur ndonjë koment zyrtar nga Pentagoni, Shtëpia e Bardhë apo NATO, Reuters shkruan se ky vendim pritet të qetësojë aleatët europianë të NATO-s, si dhe disa nga vetë republikanët e Trump, të shqetësuar nga qëndrimet e ashpra të Uashingtonit ndaj Europës që është parë si sinjal i mundshëm për një tërheqje të shpejtë nga udhëheqja ushtarake amerikane në Europë.

Raportohet poashtu se zyrtarët kanë theksuar se paralajmërimet e SHBA-së për nevojën e një zhvendosjeje të fokusit drejt Azisë dhe sigurisë kombëtare janë të sinqerta. Bëhet e ditur se edhe pse ende nuk është marrë ndonjë vendim, administrata Trump ka diskutuar mundësinë e reduktimit të trupave në Europë, ku aktualisht ndodhen rreth 80,000 ushtarë amerikanë.

Rikujtojmë se që nga marrja e detyrës në janar, administrata Trump ka ushtruar presion të madh ndaj vendeve europiane për të rritur shpenzimet për mbrojtje, duke argumentuar se Europa duhet të jetë përgjegjëse për mbrojtjen e vet. Ndërkohë, brenda administratës janë zhvilluar diskutime edhe për mundësinë që roli i komandantit suprem të kalojë te një vend europian në të ardhmen.

Të ngajshme

Më 4 qershor mbahet seanca e radhës në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

KushtrimGuraj

Aksident mes motoçikletës dhe veturës në Prizren, një në gjendje të rëndë, policia jep detajet

KushtrimGuraj

BE-ja shpreh keqardhje të thellë për planin e ShBA-së për të dyfishuar tarifat e çelikut

Valjeta Turkaj