Telenews

SHBA synon të frenojë Rusinë e Kinën në Ballkan

shba-synon-te-frenoje-rusine-e-kinen-ne-ballkan

Kërkohet raport i inteligjencës për ndikimet malinje në rajon, por ekspertët shohin mungesë strategjie.

Një projektligj i ri i paraqitur në Senatin amerikan, i quajtur “Western Balkans Democracy and Prosperity Act”, synon të shtojë angazhimin ekonomik të SHBA-ve në Ballkanin Perëndimor dhe të frenojë ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon.

Nisma, e prezantuar në muajin maj nga senatorja demokrate Jeanne Shaheen, përfshin një kërkesë të posaçme që Departamenti i Shtetit, Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare dhe një sërë agjencish të tjera t’i dorëzojnë Kongresit një raport konfidencial brenda 180 ditëve, mbi rrjetet, individët dhe taktikat e “ndikimit malinj” rus e kinez.

Zyra e senatores Shaheen nuk dha një koment për Albanian Post deri në momentin e publikimit.

Drafti i kushton një kapitull të tërë operacioneve të Moskës dhe Pekinit në rajon, duke kërkuar identifikimin e rrjeteve që financojnë apo mbështesin aktivitete që minojnë institucionet demokratike, krijojnë destabilitet politik dhe kufizojnë lirinë e votës apo aksesin në procese demokratike.

Jeanne Shaheen
Jeanne Shaheen

Raporti, sipas projektligjit, duhet të paraqesë vlerësim të objektivave strategjike të Rusisë e Kinës, mënyrën se si ato operojnë në terren dhe kapacitetin e shteteve të rajonit për t’u përballur me këto ndërhyrje.

Por ndërsa ambicia është e madhe, realiteti politik në Washington mbetet i ndërlikuar.

Vuk Vuksanović, studiues i lartë në Belgrade Centre for Security Policy, në një prononcim për Albanian Post, thekson se nisma është ende në fazë shumë të hershme dhe e ardhmja e saj është e paqartë.

“Projektligji sapo është prezantuar dhe nuk është bërë ligj. Ka mjaft pasiguri për ecurinë dhe ndikimin e tij real”, thotë ai.

Ai shton se konteksti politik është i polarizuar dhe një nismë e propozuar nga demokratët e ka të vështirë të fitojë mbështetje të gjerë në SHBA pas rikthimit të presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Mbetet për t’u parë nëse një propozim i tillë do të marrë mbështetje”, thekson Vuksanović.

Vuk Vuksanović

Sipas tij, teksti i projektligjit ndërthur disa objektiva të ndryshëm: rritjen e angazhimit ekonomik dhe biznesor të SHBA-ve në rajon, forcimin e qeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit, por edhe frenimin e ndikimit të rivalëve strategjikë si Rusia dhe Kina.

Por në këtë fazë “lexohet më shumë si një listë e gjerë dëshirash sesa një plan i koordinuar strategjik”, vlerëson eksperti.

Edhe nëse drafti do të miratohej, sipas tij mbetet e paqartë nëse administrata aktuale amerikane do të ishte e gatshme të investonte burime dhe vullnet politik për zbatimin e tij.

“Pas gati një viti të administratës së re, konturet e politikës amerikane ndaj Ballkanit mbeten të paqarta”, thotë Vuksanović, duke kujtuar se prioritetet e Presidentit Trump priren të jenë më shumë ekonomike dhe konkurruese ndaj Kinës e Rusisë, sesa orientuar drejt institucioneve demokratike jashtë vendit.

Megjithëse ndikimi rus dhe kinez në rajon është real, Vuksanović thekson se sfidat kryesore të Ballkanit vijnë nga brenda vetë vendeve të tij.

“Pikat më të dobëta të Ballkanit janë kryesisht të brendshme – qeverisja e dobët, stagnimi ekonomik, korrupsioni, polarizimi politik dhe erozioni institucional”, deklaron ai, duke shtuar se ngjarjet e fundit në Serbi e kanë bërë këtë edhe më të dukshme.

Draft-ligji i ri sinjalizon rritjen e vëmendjes amerikane ndaj rajonit, por mbetet për t’u parë nëse ai do të marrë jetë dhe nëse synimet e tij ambicioze do të shoqërohen me strategji dhe burime konkrete.

Të ngajshme

Nis qarkullimi në rrugët kryesore të Kroacisë pas reshjeve të dëborës

KushtrimGuraj

Shpëtoi 85-vjeçarin italian nga mbytja, Meloni falenderon ‘heroin’ shqiptar për aktin

Donat Hashani

Kaq milionë euro paga për një Kuvend pa asnjë vendim

Donat Hashani