Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka mirëpritur qindra bjeshkatarë nga rajoni dhe më gjerë, që morën pjesë në Takimet Ndërkombëtare të Bjeshkatarisë, në kuadër të aktivitetit tradicional “Ditët e Gjeravicës 2025”.
Shehu ka theksuar se kjo ngjarje tashmë është bërë simbol i promovimit të bukurive natyrore të komunës dhe i majës më të lartë në Kosovë – Gjeravicës, duke shtuar se “Ditët e Gjeravicës” janë gjithashtu shembull i bashkëpunimit ndërkufitar, miqësisë dhe turizmit të qëndrueshëm malor.
“Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve, organizatorëve dhe dashamirësve të natyrës që po e bëjnë Junikun çdo ditë e më shumë destinacion të preferuar për bjeshkatarë nga e gjithë Evropa!”, ka shkruar Shehu në Facebook.
Kryetari i Junikut ka ftuar të gjithë dashamirësit e natyrës që ta vizitojnë këtë komunë, duke e cilësuar si “zemrën e Bjeshkëve të Nemuna”.