Alex Oxlade-Chamberlain, dikur një nga talentet më premtues të futbollit anglez, është rikthyer në Hale End – aty ku nisi rrugëtimin e tij drejt Ligës Premier.
Ish-mesfushori i Arsenalit, që u shit te Liverpooli në verën e vitit 2017 për plot 38 milionë euro, duke mbetur ende sot lojtari më i shtrenjtë që ka shitur ndonjëherë Arsenali, po stërvitet me ekipin U-21 vjeç të “Topçinjve” për të ruajtur formën fizike ndërsa pret ofertën e duhur për hapin e radhës në karrierë.
Oxlade-Chamberlain doli në pah te Southampton, ku në mars të vitit 2010 debutoi në moshën 16 vjeç, gjashtë muajsh e 15 ditësh – vetëm pas Theo Walcott në historinë e klubit.
Alex Oxlade-Chamberlain, dikur te Arsenali telegrafi.com
Vetë Arsene Wenger e solli në “Emirates” në verën e vitit 2011 për 14 milionë euro, duke e cilësuar si një talent të jashtëzakonshëm.
Gjatë periudhës së tij te Arsenali, Chamberlain fitoi tre FA Cup dhe tre Community Shield, por roli i tij në fushë shpesh mbeti i paqartë – mes mesfushorit qendror dhe atij krahu. Në vitin 2017, në kërkim të një kapitulli të ri, ai u bashkua me Liverpoolin e Jurgen Klopp, që në atë kohë po ndërtonte skuadrën që do të fitonte më vonë Ligën e Kampionëve dhe Ligën Premier.
Megjithatë, edhe në “Anfield”, Chamberlain nuk arriti të konsolidohej si titullar. Pas disa sezoneve me lëndime dhe ulje-ngritje, ai u largua si lojtar i lirë në verën e vitit 2023, duke u transferuar te Besiktas, ku qëndroi vetëm një sezon. Kontrata e tij u ndërpre me mirëkuptim dhe lojtari përfitoi 1.75 milionë euro kompensim.
Alex Oxlade-Chamberlain, te Liverpooli telegrafi.com
Tani 32-vjeçar, Chamberlain është ende lojtar i lirë dhe ka refuzuar oferta nga jashtë Anglisë, duke synuar një rikthim në Ligën Premier. Për ta ndihmuar në ruajtjen e formës, Arsenali i ka hapur dyert për t’u stërvitur me ekipin U21.
“Alex është pjesë e familjes sonë. Ai ka qenë larg për tetë vjet, por gjithmonë do të ketë një vend këtu”, deklaroi trajneri Mikel Arteta për Sky Sports.
Sipas tij, ish-mesfushori ka dhënë një shembull frymëzues për lojtarët e rinj: “Sot bëri rondo me U21 dhe pastaj vrapoi 8 kilometra me ekipin e parë. 100% profesionist, pa ego. Nuk ka biseda për kontratë – por nëse i duhet palestra, dera është e hapur”.
– YouTube www.youtube.com
Një kthim simbolik në “shtëpinë” ku gjithçka nisi – për një lojtar që dikur premtonte shumë, por që ende nuk ka mbyllur faqen e fundit të karrierës së tij.

