Telenews

Shkelet me të madhe Ligji për Duhanin

 

 

Konsumimi i duhanit në hapësira të brendshme dhe reklamimi në pikat e shitjes janë dy prej shkeljeve më të mëdha të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Nga maji i vitit 2013, Kosova ka ligj për këtë çështje. Edhe pse ka pasur iniciativa dhe mbikëqyrje për zbatim, një dekadë më pas mund të vërehet pothuajse në secilin cep të vendit se ligji në fjalë nuk është duke u respektuar, shkruan Klan Kosova.

Këtë e konfirmon edhe zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili i thekson këto dy fusha duke thënë se ka shkelje ekstreme të ligjit.

“Përkundër faktit se duhan-pirja në Kosovë pas miratimit të këtij ligji ka shënuar rënie nga 28.4% në 25.7% (Analiza e gjendjes shëndetësore të popullatës, niveli i duhan-pirjes, IKSHPK, 2020), aktualisht janë dy fusha ku ka shkelje ekstreme të ligjit: konsumimi i duhanit në hapësira të brendshme, kryesisht në gastronomi (kafe-bare) dhe në reklamimin e duhanit në pikat e shitjes, media të caktuara,  dhe në platforma të ndryshme sociale”, ka thënë ai në një përgjigje.

Tutje, ai shton se ka një përdorim të gjerë të cigareve elektronike, Vapes dhe Sistemeve të tjera Elektronike të Shpërndarjes së Nikotinës (ENDS), përdorimi i të cilave brenda hapësirave të mbyllura është qëllim që të behët me ligjin e ri.

Sipas tij, me ligjin në fuqi, përgjegjësi për monitorimin e zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit kanë Inspektorati Sanitar, Inspektorati i Tregut, Inspektorati Shëndetësor, Inspektorati i Punës, Inspektorati i Arsimit dhe Policia e Kosovës, por njëkohësisht kanë edhe qytetarët, pronarët e subjekteve të ndryshme dhe çdo institucion tjetër.

“Konsumimi i duhanit në hapësira të mbyllura përveç se është shkelje e ligjit dhe rrjedhimisht edhe e të drejtave të qytetarëve (rreth 2/3 që nuk e konsumojnë duhanin), të cilët sipas ligjit kanë të drejtë të jenë të mbrojtur nga tymi i duhanit dhe nga duhan-pirja pasive, është në të njëjtën kohë edhe dëshmi se institucionet përgjegjëse nuk janë duke e kryer punën e tyre ne raport me këtë ligj dhe kjo praktikë duhet të ndryshojë”, ka thënë ai.

Më tej, ai thekson se nëse ligji vazhdon të shkelet, pasojat shkatërruese për shëndetin, mirëqenien dhe mjedisin do të bëhen gjithnjë e më kërcënuese dhe këtë qytetari kosovar do ta paguajë nga xhepi i tij, por më e keqja është se do ta paguajë me shëndetin e tij.

Klankosova.tv e ka kontaktuar përmes telefonit kryeinspektorin sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, për ta pyetur se sa gjoba janë shqiptuar gjatë vitit që shkoi për shkeljen e ligjit për duhanin, mirëpo i njëjti refuzoi që të japë shifra.

Kujtojmë se nga 22 maji i vitit 2013 në Kosovë është në fuqi Ligji për Kontrollin e Duhanit me të cilin pirja e duhanit ndalohet tërësisht në:

  • Hapësira të mbyllura publike;
  • Hapësira të punës;
  • Mjete të transportit publik;
  • Vendet e lojërave për fëmijë; stadium, arenë, apo hapësirë për çfarëdo shfaqje.

Gjithashtu, ndalohet edhe:

  • Ekspozimi i duhanit në pikat e shitjes dhe
  • Pranimi i kontributeve vullnetare nga industria e duhanit

Të ngajshme

Nesër ora e parë e mësimit në kryeqytet i dedikohet “Dhunës me bazë gjinore”

KushtrimGuraj

Efekti i rrjeteve sociale tek fëmijët, zgjidhje po shihet edukimi medial në shkolla

KushtrimGuraj

​QKMF në Prishtinë me apel për qytetarët lidhur me gripin sezonal

KushtrimGuraj