Një pakujdesi që mund të kishte përfunduar në tragjedi u parandaluar në Shëngjin pasi një mjet lundrues hyri me shpejtësi të lartë mes notuesve, duke thyer çdo rregull sigurie.
Drejtuesi i mjetit lundrues i identifikuar me inicialet D. M. shkeli perimetrin e sigurisë të dedikuar posaçërisht për plazhistët, duke lundruar me manovra të rrezikshme pranë bregut.
Pas ngjarjes ndaj të riut u morën masa administrative, një gjobë prej 500 000 lekësh të rinj. Gjithashtu u bllokua mjeti lundrues.
“Shëngjin. Shkeli perimetrin e sigurisë, lundroi me shpejtësi brenda zonës së dedikuar për pushuesit, Policia Kufitare e ndëshkon me masë administrative 500 000 lekë të rinj dhe bllokon mjetin lundrues.
Shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, gjatë monitorimit të zonës bregdetare, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Lezhë, kanë evidentuar një mjet lundrues që kishte hyrë dhe po lëvizte me shpejtësi brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e pushuesve që po bënin plazh. Rasti është publikuar edhe në portalin JOQ.
Në vijim të veprimeve procedurale, drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi D. M., u ndëshkua me masë administrative 500 000 lekë të rinj, si dhe u bllokua mjeti lundrues, raporton Euronewsalbania.
Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe denoncimet e tyre, të cilat ndihmojnë në evidentimin dhe ndëshkimin në kohë të shkeljeve që rrezikojnë sigurinë e pushuesve. Çdo denoncim trajtohet me seriozitet dhe verifikohet menjëherë nga strukturat policore, në funksion të garantimit të sigurisë në hapësirat bregdetare.
Apelojmë për të gjithë drejtuesit e mjeteve lundruese dhe subjektet që operojnë me to të respektojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë. Reagimi do të jetë i menjëhershëm ndaj çdo shkelësi, me qëllim garantimin e jetës dhe sigurisë së pushuesve”, thuhet në njoftim.

