Dikur martesa në Shqipëri ishte rrugëtimi që niste sapo mbaroje shkollën.
Sot? Fillimisht duhet një shtëpi, një rrogë e mirë, pak stabilitet emocional, dy pushime në vit dhe ndoshta pastaj vjen radha e dasmës.
Vet institucionet shtetërore na tregojnë nëpërmjet të dhënave se shqiptarët po martohen më pak dhe shumë më vonë.
Duke i dhënë më shumë rëndësi shkollimit, mosha mesatare e martesës është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit teksa tek femrat nga 23.4 vjeç në vitin 2010 ka shkuar në 27.5 në vitin 2024, ndërsa tek meshkujt me ritëm më të ngadaltë nga 29.2 në 31.4 vjeç.
Por nuk është vetëm mosha që po ndryshon. Edhe numri i martesave ka pësuar rënie ndër vite nga 25 mijë e 556 në vitin 2011 në 16 mijë e 120 martesa. Në 1 dekadë e gjysmë martesat në Shqipëri kanë rënë me pothuajse 40%.
E njëjta situatë paraqitet në të gjitha qarqet e vendit. Në Tiranë, qarku me numrin më të madh të martesave, nga mbi 8 mijë martesa në vitin 2011, në 2024 janë regjistruar rreth 6 mijë.
E njëjta panoramë shihet edhe në Durrës, Elbasan, Korçë apo Fier, ku numrat kanë rënë ndjeshëm krahasuar me një dekadë e gjysmë më pare.
Arsyet janë të shumta dhe jo aq romantike. Kostoja e jetesës, emigracioni, pasiguria ekonomike dhe ndryshimi i stilit të jetës kanë bërë që shumë të rinj ta shohin martesën si një hap që duhet menduar gjatë.
Në fund të fundit shumë të rinj do të thoshin sot njerëzit mezi gjejnë parkim jo më njeriun e jetës.
Më kryesorja rënia e martesave lidhet drejtpërdrejt edhe me uljen e lindshmërisë dhe plakjen e popullsisë.
Pra, ndërsa dikur pyetja klasike ishte “kur do martohesh?” sot më shumë dëgjojmë “a ja del dot me qiranë?”
Megjithatë, shqiptarët nuk duket se kanë humbur besimin tek dashuria. Thjesht tani dashuria po pret pak më gjatë, ndoshta derisa të ulen çmimet e apartamenteve.

